Shehi: Prioritet për ne do jetë stabiliteti, kundër Kukësit ndeshje e fortë

schedule13:50 - 21 Nëntor, 2021

schedule 13:50 - 21 Nëntor, 2021

Tirana do të përballet me skuadrën e Kukësit ditën e hënë, në stadiumin e Shkodrës “Loro Boriçi” në orën 19:45.

Një ndeshje e luftuar mes dy skuadrave kryesuese teksa “bardh e blutë” janë në vendin e parë me 20 pikë dhe verilindorët në vendin e dytë me 6 pikë më pak.

Në konferencën për shtyp para këtij takimi ka folur edhe trajneri i Tiranës, Orges Shehi i cili është shprehur se për skuadrën e tij është prioritet stabiliteti i skuadrës.

Gjithashtu tekniku i bardh e bluve shikon 6-7 skuadra që pretendojnë për objektiva madhorë.

NDESHJA ME KUKËSIN – “Kupa iku dhe i takon të shkuarës. Përballë një kundërshtari që është në vendin e dytë dhe padiskutim do jetë një ndeshje e fortë. Është një ndeshje mes rivalëve dhe do ta përgatisim me gjithë forcat për ta trajtuar si një ndeshje shumë serioze dhe mes dy rivalëve direkt që kanë objektiva madhor”.

E kaluara e Shehit? “E kaluara ime është pak larg. Nuk është shumë afër pasi shumë pak lojtarë janë ende në skuadër nga ekipi që kam drejtuar unë kur isha pjesë e Kukësit. Disa gjëra të vogla i di sa i takon asaj që kërkojnë drejtuesit nga skuadra. Mendoj se ndoshta këto faktorë mund të na ndihmojnë për të përgatitur një strategji tjetër”.

PATHYESHMËRIA- “Prioritet për ne do jetë stabiliteti, vazhdueshmëria, forca e karakterit që ka skuadra, pastaj që të jemi të pathyeshëm do na pëlqente të vazhdonim gjatë”.

KUKËSI RIVALI MË I VËSHTIRË? “Çdo skuadër ka mënyrën e vet të lojës dhe sot nuk është vështirë për të marrë informacion. Jo vetëm Kukësi, po jemi 6-7 skuadra që jemi ndërtuar mirë dhe janë pretendent për objektiva madhor dhe shkalla e vështirësisë është e madhe ndaj çdo skuadre”.

TIRANA PRETENDENTE KRYESORE PËR TITULL?  “Është shumë shpejt. Kemi një ecuri të mirë dhe shpresojmë të vazhdojmë në këtë rrugë. Ne duhet të jemi të bindur për atë që bëjmë ne. Ne duhet të jemi ato që kemi qenë çdo javë dhe nëse japim atë që kemi dhënë këtë periudhë mendoj se do jemi në rrugën e duhur”.  /f.a/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!