Kreu i LZHK, Dashamir Shehi ka dhënë një mesazh për qytetarët, ndërkohë që Partia Demokratike mbylli sot fushatën.
Në një postim në rrjetet sociale,Shehi shkruan se nga 31 vite politikë aktive këtë fushatë zgjedhore ka konstatuar se “të rinjtë nuk kanë qenë protagonistë të saj, për të vendosur nesër me votë për të ardhmen e tyre, e fajtor për këtë panoramë të trishtë nuk janë ata, por ne politikanët”.
Shehi zotohet se e ardhmja e Shqipërisë do ti përkasë rinisë dhe jo oligarkisë.
Mesazhi i plotë:
Në 25 prill të votojmë që Shqipërinë t’ja lëmë trashëgimi rinisë dhe jo peng oligarkisë !
Në 31 vite politikë aktive këtë fushatë zgjedhore me keqardhje kam konstatuar se të rinjtë nuk kanë qenë protagonistë të saj, për të vendosur nesër me votë për të ardhmen e tyre, e fajtor për këtë panoramë të trishtë nuk janë ata, por ne politikanët, që dikush me veprime e dikush me mosveprime, punuam për largimin e asetit tonë më të madh, rinisë. Emëruesi i përbashkët i problemeve të atyre të rinjve që kam takuar përgjatë këtyre ditëve të fushatës është mungesa e një pune me pagë dinjitoze, që u’a mundëson ta ndërtojnë të ardhmen në tokën e të parëve. Sa herë shikoja ata djem e vajza të mrekullueshëm moshatarë të fëmijëve të mi, të mirëshkolluar dhe njohës të gjuhëve të huaja që flisnin për të ndërtuar të ardhmen diku larg, më kujtoheshin deklaratat e Ramës që do sjellim punëtor nga Bangladeshi, se të rinjtë tanë janë dembel, të keqarsimuar se vendi është tokë e premtuar për sipërmarrësit e huaj se nuk ka sindikata. Në këto deklarata, që kanë prapavijë skllavëruese për punëtorin shqiptar, fshihen interesat e oligarkëve të rinj dhe aty gjeni përgjigjen se përse 450 mijë shqiptarë, kryesisht të rinj braktisën atdheun 8 vitet e fundit.
Nga vitet e gjata në politikë e kam të lehtë ta nuhas se kur vendi është në çaste kritike dhe 25 prilli është një moment I tillë, pasi në një fije të hollë peri ndahet e ardhmja e rinisë tonë dhe fati I oligarkëve, të lidhur me Ramën që do paguajnë çdo çmim për të skllavëruar këtë popull.
Shqiptarët përmes votes masovike pro opozitës mund ti vënë traun eksodit masiv të rinisë dhe unë ndaj bindjen e plotë se do ta bëjnë, pasi një popull nga gjiri i të cilit ka dalë Nënë Tereza e Skënderbeu nuk mund të tërhiqet zvarrë një një piktor i dështuar, i kthyer në palaço cirku me tipare autokrati që qeveris me banda dhe të oligarkë. Krijimi i mundësive të reja për rininë do jetë prioriteti im i punës legjislaturën e ardhshme parlamentare, pasi e ndjej se brezi im në politikë i ka shumë borxh atyre që sapo kishin lindur kur ne shembëm murin e diktaturës me ëndrrën për ta bërë Shqipërinë si gjithë Evropa. E ardhmja e Shqipërisë do ti përkasë rinisë dhe jo oligarkisë, ky është zotimi im. Me 25 prill ju ftoj të votoni koalicionin opozitar PD-AN me numrin 9, ndërkohë brenda koalicionit opozitar kërkoj votën personale për mua Dashamir Shehin me numrin rendor 13, pasi sa më I fortë të jetë zëri jonë aq më shumë do bëjmë për vendin dhe për rininë.