Shehi në Abc News: SHBA dhe BE kuptuan regjimin që po instalohet këtu, Teatri e nxorri qeverinë zbuluar

schedule14:46 - 23 Maj, 2020

schedule 14:46 - 23 Maj, 2020

Kreu i LZHK-së Dashamir Shehu theksoi në një intervistë për Abc News se Shqipëria ka shansin e fundit për të përmbyllur Reformën në Drejtësi, po ashtu edhe atë Zgjedhore.

Shehi u shpreh se gjatë këtyre shtatë viteve në pushtet, kjo maxhorancë ka qeverisur e pashqetësuar as nga gjykatat dhe as nga opozita, e megjithatë sipas tij i ka shkaktuar dëme të mëdha vendit duke çmontuar krejtësisht institucionet.

Shehi tha:

Në Shqipëri nuk po ndodh ndonjë gjë që nuk ka ndodhur më herët, por kësaj radhe, dimensionet e ndodhisë janë të tjerë. Prej 7 vitesh qeverisemi nga një lloj regjimi si ky i Edi Ramës, ku ky është prokuror, pastaj gjykatës, pastaj ligjvënës.

Tani është kuptuar që ky zotëria pas shtatë viteve nuk ka se çfarë të ofrojë më. E vetmja gjë që ofron është zullumi në kurriz të shqiptarëve. Duhet të bëhemi gati që të përballemi me këtë regjim përmes zgjedhjeve.

Besoj se rruga e rindërtimit të Shqipërisë do të jetë më e gjatë dhe më e lodhshme pasi dëmi i shkaktuar është shumë i madh. Më herët jemi mësuar që qeveritë të lenë borxhe dhe korrupsion, kurse tani duhet të përballemi edhe me shkatërrimin e institucioneve, të cilat duhet t’i rindërtojmë.

I pyetur se si do të ndryshohen gjërat dhe çfarë po ndodh me tryezën e Këshillit Politik, Shehi tha se e vetmja rrugë që opozita kërkon të ndjekë për rrëzimin e Ramës është ajo përmes kësaj tryeze dhe zgjedhjeve.

Më tej Shehi u shpreh:

Ne duhet t’i shkojmë deri në fund kësaj historie pasi deri më tani Rama ishte mësuar që ne ikim nga tavolina e negociatave, siç e kemi bërë më herët. Tani nuk duhet të ngrihemi nga andej deri sa të marrim një garanci për zgjedhje të ndershme në Shqipëri.

Rruga për ndryshimin e Shqipërisë kalon përmes Këshillit Politik sepse Rama tani i ka të gjitha, ka Parlamentin, ka pushtetin lokal, ka një pjesë të mirë të medias.

Kreu i LZHK-së tha se tani ndërkombëtarët kanë filluar të shohin nga Shqipëria pasi më herët kishin problemet e tyre. Ky fakt i reflektua sipas tij me prishjen e Teatrit, ku ata kuptuan se “çfarë monstre kishin krijuar me duart e tyre në Shqipëri”.

Pavarësisht ekstravagancës që ai tregon, në fakt Rama është një frikacak dhe tërhiqet pas një presioni të vogël nga ndërkombëtarët. Këtij i ka mbaruar edhe koha tani, ashtu si edhe disa regjimeve të ngjashme në rajon. Wshtë duke krijuar një regjim të ngjashëm më Putinin, Erdoganin apo ajatollahët e Iranit. Ata kanë qëllimet e tyre gjeopolitike, po këtij çfarë i duhet të sundojë 2.5 milion shqiptarë?

Neve na duhet të shkojmë në zgjedhje të qeta dhe të ndërshme që njerëzit të mos shantazhohen nga rrugeçërit e Durrësit dhe Peshkopisë, siç e kemi parë në dosjet e prokurorisë“, tha Shehi duke theksuar ndërkohë që mandati i Këshillit Politik nuk duhet zgjeruar, ndryshe nga sa propozoi Presidenti Meta që në atë tryezë të diskutohen edhe ndryshime në ligjet për Reformën në Drejtësi. /abcnews.al