Tirana-Kukësi luhet nesër prej orës 17:45 dhe verilindorët do të mundohen të ngushtojnë diferencën prej nëntë pikësh që kanë me 24 herë kampionët e vendit. Trajneri Orges Shehi, para ndeshjes ka folur për faqen zyrtare të klubit të Kukësit dhe qartazi e thotë se ky është treni i fundit për të shpresuar në fitimin e titullit kampion.
“Jemi të vetëdijshëm që është takimi më i rëndësishëm i joni. Luajmë me një kundërshtar që renditet i pari dhe është i shkëputur, ndaj mendon se është ndeshja më e rëndësishme e sezonit dhe treni i fundit për të qenë pranë objektivave.
E kemi përgatitur maksimalisht dhe do të hedhim në fushë lojtarët më në formë, që t’i përshtaten edhe kundërshtarit”, është shprehur durrsaku i Kukësit, i cili më pas ka komentuar edhe mungesën e sulmuesit kryesor të skuadrës, vlonjatit Vasil Shkurtaj.
“Patjetër që është një mungesë e rëndësishme ajo e Shkurtajt. Është pika jonë e referimit, siç e kam thënë edhe herë të tjera, është golashënuesi më i mirë. Futbolli i tillë është, ka edhe dëmtime. Ndaj duhet të shohim përpara”, përfundon Shehi. /abcnews.al