Një nga 4 kandidatët për postin e kreut të Partisë Demokratike, Agron Shehaj deklaroi në një konferencë për mediat, se Partisë Demokratike dhe Shqipërisë i duhet një udhëheqës i pakorruptuar.
Shehaj gjithashtu theksoi se blerja masive e votave në zgjedhjet e 25 prillit është e pamohueshme.
Lexo edhe: A do bashkëqeverisë me Ramën nëse merr kryesinë e PD-së? Si përgjigjet kandidati Agron Shehaj
“Mos ndryshimi i udhëheqjes është rruga e sigurt për një humbje tjetër. Edi Rama është politikan i korruptuar dhe anti-demokratik. Për ta mundur regjimin e tij, Partia Demokratike dhe Shqipëria kanë nevojë për një udhëheqës krejt ndryshe nga ai. Kanë nevojë për një udhëheqës të pakorruptuar, të pakorruptueshëm, me kurajë dhe gjithëpërfshirës. Me këto vlera ne do të kthejmë besimin e qytetarëve tek PD-ja”, tha Shehaj.
Më tej Shehaj deklaroi se ishte kundër djegies së mandateve dhe mospjesëmarrjes në zgjedhjet lokale, duke i vlerësuar si dy nga arsyet kryesore që sipas tij çuan në humbjen e Partisë Demokratike në zgjedhjet e 25 prillit.
“Mendoj se është e pamohueshme blerja masive e votave. Por beso,j që djegia e mandateve dhe mospjesëmarrja në zgjedhjet lokale, janë arsyet përse humbëm zgjedhjet e 25 prillit”, tha më tej ai.
Pjesë nga fjala e Agron Shehajt:
Vendosa të kandidoj për kryetar të Partisë Demokratike, sepse u binda që udhëheqja e tanishme nuk mund ta çojë Partinë Demokratike në fitore. Po kandidoj sepse udhëheqja aktuale po përpiqet ta kalojë humbjen e 25 prillit, si një gjë të zakonshme, si një gjë normale, pa reflektuar dhe pa ndryshuar asgjë.
Kandidimi im nuk është përpjekje për të marrë një post, por fillimi i një projekti ndryshimi të Partisë Demokratike sot, për ta ndryshuar Shqipërinë nesër.
Më 13 qershor anëtarët e Partisë Demokratike nuk do të zgjedhin thjesht kryetarin e ri, por do të vendosin nëse duan të fitojnë apo të humbasin prapë edhe në zgjedhjet e 2025-ës. Mosndryshimi i udhëheqjes së tanishme të Partisë Demokratike është rruga e sigurtë për të humbur përsëri. Unë kam ndershmërinë, përvojën dhe aftësinë e duhur për ta çuar Partinë Demokratike në rrugën e fitores.
Edi Rama është politikan i korruptuar dhe antidemokratik. Për ta mundur regjimin e tij, Partia Demokratike dhe Shqipëria ka nevojë për një udhëheqës krejt ndryshe nga ai: të pakorruptuar, të pakorruptueshëm, me kurajë dhe gjithëpërfshirës. Me këto vlera ne do të rikthejmë besimin e qytetarëve te Partia Demokratike dhe ta çojmë atë drejt fitores.
Partia jonë ka nevojë për reformë të thellë e të menjëhershme, në mënyrë që ajo të jetë moderne, demokratike, meritokratike. Të qenurit kryetar i Partisë Demokratike nuk duhet të jetë vetëm privilegj, por duhet të jetë edhe përgjegjësi.
Prandaj propozoj se në Statut të sanksionohet se kryetari i Partisë Demokratike duhet të ketë vetëm një mundësi për të ardhur në pushtet dhe të japë dorëheqjen kur humbet zgjedhjet parlamentare duke mos kandiduar më, pa asnjë justifikim, pa asnjë përjashtim.
Partia Demokratike duhet të bëhet partia e konkurrencës dhe e mundësive për të gjithë.
Për këtë propozoj se në Statutin e Partisë Demokratike të sanksionohet parimi i zgjedhjes së kandidatëve për deputetë nga anëtarësia me parimin “një anëtar, një votë”. Kështu do të fuqizojmë anëtarët dhe do të sjellim në drejtim njerëzit më të zotë. Vetëm në këtë mënyrë ne do tërheqim më shumë njerëz të zotë dhe të ndershëm, që duan të japin kontributin e tyre në politikë.
/abcnews.al/