Shefja e USAID, Samantha Power në Beograd

schedule16:31 - 10 Maj, 2023

schedule 16:31 - 10 Maj, 2023

Administratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, Samantha Power, po qëndron në Serbi prej nga do të shkojë edhe në Kosovë për t’u takuar me udhëheqësit e të dyja vendeve.

E shoqëruar nga ambasadori amerikanë në Beograd, Christopher Hill zonja Power u takua me presidentin serb Aleksandar Vuçiç, duke u bërë udhëheqësja e parë e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar që viziton Serbinë, e cila mban lidhje të ngushta historike dhe kulturore me Rusinë.

Zonja Power shkroi në rrjetet sociale se me presidentin Vuçiç u diskutua për të ardhmen e Serbisë dhe si mund të vazhdojnë Shtetet e Bashkuara të investojnë në suksesin dhe përparimin e popullit serb.

Vizita e saj në rajon po zhvillohet në një periudhë përpjekjesh të udhëheqësve amerikanë dhe evropianë për të stabilizuar marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë, dy ish-armiqve të kohës së luftës, në një kohë tensionesh të rritura.

Serbia dhe Kosova kanë marrëdhënie shpesh armiqësore që nga ndarja e Kosovës nga Serbia në fund të Luftës së Ftohtë.

Zonja Power synon të inkurajojë të dyja vendet të qëndrojnë në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve mes tyre dhe të vazhdojnë të ecin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Vizita e saj është e para e një zyrtari të lartë të qeverisë amerikane, që kur Bashkimi Evropian ndërmjetësoi një takim midis udhëheqësve të të dyja vendeve javën e kaluar në Bruksel, duke i nxitur ata të zbatojnë një marrëveshje të ndërmjetësuar nga perëndimi për normalizimin e marrëdhënieve./VOA