Shefi i OKB-së u kërkon trupave ruse të kthehen në kazerma

schedule04:44 - 26 Shkurt, 2022

schedule 04:44 - 26 Shkurt, 2022

Shefi i OKB-së Antonio Guterres ka thënë se paqes duhet t’i jepet një shans tjetër, menjëherë pas një takimi të Këshillit të Sigurimit ku Rusia vuri veton ndaj një projekt-rezolute që do të dënonte pushtimin e saj në Ukrainë. Rezoluta ishte e dënuar të dështonte për shkak të të drejtës së vetos së Rusisë si një anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

“OKB ka lindur nga lufta për t’i dhënë fund luftës. Sot ky objektiv nuk u arrit. Por ne kurrë nuk duhet të dorëzohemi. Ne duhet t’i japim paqes një tjetër shans, shkroi ai në Twitter.

Menjëherë pas kësaj, ai u kërkoi trupave ruse të përfshira në pushtimin e Ukrainës të ktheheshin në kazermat e tyre raporton “BBC”. Ambasadori rus në OKB Vassily Nebenzia falënderoi anëtarët e Këshillit të Sigurimit që nuk e mbështetën draftin, të cilin ai e përshkroi si “anti-rus”.

“Projekt-rezoluta juaj nuk është gjë tjetër veçse një lëvizje tjetër brutale, çnjerëzore në këtë tabelë shahu të Ukrainës,” tha Nebenzia pas votimit.  / abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!