Shefi i CIA-s mbyll vizitën në Kosovë, William Burns takoi Kurtin dhe presidenten Osmani

schedule11:42 - 23 Gusht, 2024

schedule 11:42 - 23 Gusht, 2024

Vizita e shefit të CIA-s, William Burns në trekëndëshin Sarajevë, Beograd dhe Prishtinë, u mbyll të premten, me mesazhe të qarta dhe të prera, të lëna  në të tre kryeqytetet, që lidhen me dy pika të nxehta, Republika Srpska dhe veriu i Kosovës, të dyja me shumicë serbe dhe burime tensionesh të herëpashershme.

Vizita e kreut të CIA-s është nga më të rrallat në Ballkanin Perëndimor dhe vjen në një kohë kur retorika secesioniste e Dodik në Bosnjë Hercegovinë dhe veprimet e njëanshme të Kurtit në veri të Kosovës, rrezikojnë jo vetëm hapjen e vatrave të reja të krizës, në mes të luftës së Rusisë kundër Ukrainës, por mbi të gjitha vënë në rrezik ushtarët amerikanë të dislokuar në Kosovë, të cilët janë të pozicionuar në një bazë në Leposaviç në veri të vendit.

Kurti u nis mbrëmë nga Shtetet e Bashkuara për t’u kthyer në Kosovë pavarësisht se konventa e demokratëve mbyllet sot. Që në orën 9 të mëngjesit, Burns ishte në ndërtesën e qeverisë së Kosovës dhe bisedoi me Kurtin për rreth 50 minuta, në praninë edhe të kreut të inteligjencës së Kosovës, Petrit Ajeti dhe ambasadorit amerikan në Prishtinë Jeffrey Hovenier.

Askush nuk ka folur ende, çfarë iu tha ekzaktësisht Kurtit dhe cili ishte mesazhi I vijave të kuqe, që kryeministri I Kosovës I ka kaluar tashmë duke sfiduar Washingtonin dhe duke prekur interesit amerikane në rajon. Takimi me Kurtin erdhi pas atij me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila konsiderohet partnere nga Shtetet e Bashkuara, në ndryshim nga kryeministri.

Presidentja Vjosa Osmani publikoi të premten foto nga takimi duke theksuar se “Aleanca me Shtetet e Bashkuara, është garanci për siguri, paqe e sukses”. “Kënaqësi që mirëprita dje në Republikën e Kosovës Shefin e Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës, Ambasadorin William Burns,” shkroi Osmani në një postim në rrjetet sociale. William Burns ka takuar te enjten edhe drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha. Rreth këtyre takimeve nuk ka pasur asnjë deklaratë nga palët.

Por besohet qe shefi i CIA të këtë sjellë porosi speciale dhe të këtë theksuar faktin  se SHBA e konsiderojnë Ballkanin Perëndimor me rëndësi të veçantë dhe kërkojnë uljen e tensioneve mes Kosovës e Serbisë. Pyetja mbetet nëse Kurti do të bëjë tani, atë që bëri Dodik, i cili 24 orë pas largimit të Burns nga Sarajeva, doli publikisht dhe tërhoqi gjithë sa kishte kërcënuar deri tani, duke thënë se mbështet dhe nuk rrezikon integritetin territorial të Bosnjë Hercegovinës.

Vizita e kreut të CIA-s në Prishtinë është e paprecedentë dhe tregon shqetësimin serioz të Shteteve të Bashkuara për situatën e sigurisë në vend, por jo vetëm.

Se fundi Shtetet e Bashkuara po shprehin hapur shqetësimin lidhur me marrëdhëniet sfiduese me Prishtinën zyrtare.

Tensionet më të fundit midis Prishtinës dhe aleatëve perëndimorë, lidhen me përpjekjet e njëanshme dhe te pakoordinuara të kryeministrit Kurti për të hapur për qarkullim për automjete Urën mbi Lumin Ibër.

Por kjo  kundërshtohet hapur nga aleatët për shkak të shqetësimeve të përshkallëzimit të situatës së sigurisë në vend dhe në rajon.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!