Procesi i zgjedhjes së shefave të rinj të komisariateve u finalizua me 48 emrat e rinj të drejtuesve të zgjedhur përmes një sistemi të ri.
Gazetari Ervin Leka u shpreh se mes aplikantëve kishte edhe 9 aplikante gra të cilat nuk mundën të zgjidheshin. Sipas tij, kemi një polici të riformatuar jo vetëm për emrat e rinj që janë caktuar, por edhe për procesin e përzgjedhjes dhe garës.
“Ajo që dua të them dhe më vjen keq sepse kemi pasur 9 gra aplikante, 4 prej tyre siguruan 70 pikë që ishte pragu për fazën e përzgjedhjeve. Asnjëra prej tyre nuk arriti të zgjidhej. Do të kishim shefen e parë grua të emëruar. Gara vazhdoi që në 31 tetor, kanë qenë mbi 100 aplikantë që mundën të siguronin pragun e pikëve ku mes tyre u zgjodhën 48 emrat dhe kemi një figurë të re në Drejtorinë Vendore, por edhe në shefat e komisariateve për rendin dhe mbarëvajtjen dhe parandalimin e ngjarjeve.
Mund të them që kemi një polici të riformatuar sepse emrat nuk janë të vjetër. Tashmë gjëja e mirë përveç ndryshimit të emrave është procesi i përzgjedhjes dhe garës. Pjesa e intervistimit parashikonte 100 pikë, asnjëri prej tyre nuk i arriti, maksimumi ka qenë 88 pikë, por shpresojmë të japin maksimumin në detyrë. “ / abcnews.al