SHBA, Trump nis përgatitjet për rikandidimin

schedule22:42 - 27 Shkurt, 2018

schedule 22:42 - 27 Shkurt, 2018

Kur e ndajnë 979 ditë nga zgjedhjet e ardhshme, presidenti amerikan, Donald Trump ka zgjedhur këtë të martë shefin e fushatës së ardhshme elektorale, duke mos u lënë vend dyshimeve për rikandidimin e tij.

Presidenti amerikan Donald Trump ka zgjedhur këtë të martë një prej strategëve të tij politikë si personin që do të menaxhojë fushatën elektorale për rikandidimin e tij në vitin 2020. Bëhet fjalë për Brad Perskejl, të cilin grupi “Trump Organization” e rekrutoi në vitin 2011 si specialist të komunikimit elektronik.

Në 2015-n atij iu kërkua të krijonte një faqe interneti për presidentin Trump dhe rrugëtimin e tij drejt Shtëpisë së Bardhë. Ndërsa një vit më vonë u kthye në drejtorin dixhital të stafit elektoral të miliarderit. Përzgjedhja e tij është hapi i parë i presidentit amerikan që tregon synimin e tij për të rikandiduar, kur mungojnë ende 979 ditë deri në zgjedhjet e 2020-s.

Parardhësi i tij, Barack Obama e njoftoi planin e tij për një mandat të dytë 582 ditë para zgjedhjeve të vitit 2012. Djali i kreut të shtetit, Eric Trump vlerësoi figurën e Perskejl, duke u shprehur se Brad ka një talent të jashtëzakonshëm dhe ishte një lojtar kyç në suksesin e vitit 2016. “Ai ka besimin e plotë të familjes sonë dhe është personi i duhur për të qenë në krye të fushatës”, deklaroi Eric Trump.

Perskejl, 42 vjeç, nga Teksasi, është përfolur si person i përfshirë në skandalin “Russiagate” nga komisioni hetimor demokrat në Kongresin amerikan. Vitin e kaluar ai u mor në pyetje në një seancë me dyer të mbyllura në Komisionin për shërbimet e inteligjencës. Asokohe, Perskejl deklaroi se u kishte thënë hetuesve se nuk kishte dijeni për ndonjë komplot të Kremlinit për të influencuar zgjedhjet në favor të zotit Trump./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!