Me urdhër të presidentit Trump, Uashingtoni ka ndërprerë ndihmën financiare prej 200 milionë dollarësh për Palestinën, një lëvizje kjo që pritet të dëmtojë më tej marrëdhëniet e përkeqësuara pas njohjes së Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit.
Presidenti amerikan Donald Trump ka urdhëruar ndërprerjen e ndihmës prej 200 milionë dollarë të parashikuar për territoret e Gazës dhe Bregut Perëndimor në Lindjen e Mesme. Një burim nga Departamenti i Shtetit ka deklaruar se, presidenti ka kërkuar që ndihma në fjalë të shkojë diku tjetër, ku të përkojë me interesat kombëtare të Shteteve të Bashkuara. Marrëdhëniet mes palestinezëve dhe Amerikës janë acaruar që kur Trump mori pushtetin dhe u përkeqësuan pasi Uashingtoni njohu Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit në dhjetor të 2017-s.
Atëherë palestinezët deklaruan se Amerika nuk mund të vazhdojë më rolin e ndërmjetësit të procesit të paqes dhe ndërprenë kontaktet me të. Nga ana e tyre Shtetet e Bashkuara ndërprenë edhe fondin prej 65 milionë dollarësh që derdhej pranë OKB-së për Palestinën. Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit deklaroi se Shtëpia e Bardhë dëshiron që t’i drejtojë fondet në çështje më prioritare, por nuk saktësoi se për cilat bëhet fjalë. Si palestinezët ashtu edhe OKB paralajmëruan se ndërprerja e ndihmave do të vështirësojë jetën e përditshme të qytetarëve në territoret e Lindjes së Mesme./abcnews.al