SHBA, Trump dhe demokratët arrijnë marrëveshjen

schedule21:27 - 25 Janar, 2019

schedule 21:27 - 25 Janar, 2019

Demokratët në Shtetet e Bashkuara dhe republikanët e udhëhequr nga Donald Trump kanë arritur një marrëveshje që zhbllokon përkohësisht ngërçin institucional që zgjat që prej 22 dhjetorit. Lëvizja mund të konsiderohet një lëshim nga presidenti amerikan, pasi pakti nuk parashikon financimin e murit me Meksikën.

Liderët e Kongresit dhe presidenti Donald Trump ranë dakord të premten për një zhbllokim të përkohshëm të bllokadës qeveritare që ka përfshirë Shtetet e Bashkuara. Lajmin e bëjnë të ditur mediat amerikane, sipas të cilave marrëveshja nuk përfshin fondin që Trump ka kërkuar për ndërtimin e murit në kufi me Meksikën. Bëhet fjalë për një ndryshim në qëndrimin e presidentit, i cili më parë kishte insistuar në përfshirjen e shifrës prej 5.7 miliardë dollarësh në çdo marrëveshje legjislative që do të çonte në fundin e bllokadës. Por teksa efektet e paralizës qeveritare sa vijnë e shtohen, Trump dhe ligjvënësit gjetën gjuhën e përbashkët për një financim trejavor të agjencive qeveritare, të mbyllura që prej 22 dhjetorit. Akordi, sipas burimeve mediatike, shtyn për në një periudhë të mëvonshme bisedimet për financimin e murit. Çdo financim i përkohshëm do të zgjasë mbështetjen e agjencive federale në nivelet e vitit të kaluar fiskal dhe do të përfshijë disa fonde për sigurinë kufitare, por jo për murin – saktësojnë burimet. Demokratët insistojnë ndërkohë se muri i kërkuar nga kreu i shtetit përveç se ka një kosto shumë të lartë do të jetë imoral dhe jo efikas kundër trafikut të drogës dhe krimit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!