SHBA, thirrje vendeve të Amerikës Qendrore, parandaloni emigrimin e paligjshëm

schedule19:54 - 2 Qershor, 2021

schedule 19:54 - 2 Qershor, 2021

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken u bëri thirrje qeverive të vendeve të Amerikës Qendrore që të bëjnë më shumë për të ndihmuar në ndaljen e imigracionit të paligjshëm. Sekretari Blinken e bëri thirrjen gjatë një takimi në Kosta Rika të martën me Presidentin Carlos Alvarado Quesada.

Pas takimit me Presidentin e Kosta Rikës, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken njoftoi se Shtetet e Bashkuara po përgatisin një paketë ndihme prej 4 miliardë dollarësh për të ndihmuar në trajtimin e sfidave të “migrimit të parregullt”.

“Ajo që duhet të dëgjojmë nga partnerët tanë është një angazhim i përbashkët me ne për të trajtuar shkaqet themelore [të migrimit]. Presidenti Biden ka propozuar të bëjë një investim shumë të rëndësishëm historikisht me vlerë prej 4 miliardë dollarësh gjatë katër viteve për të ndihmuar vendet të identifikojnë dhe të trajtojnë shkaqet rrënjësore të migrimit. Qeverisja, ose mungesa e qeverisjes së mirë, korrupsioni, pasiguria dhe, në fund, mundësitë”, tha Sekretari amerikan i Shtetit.

Shtetet e Bashkuara kanë premtuar të ndihmojnë vendet e varfëra në luftën kundër Covid-19 me vaksina dhe zoti Blinken tha se qeveria amerikane do të bënte javën e ardhshme planet për mënyrën e shpërndarjes së miliona dozave.

Shumë emigrantë të ndaluar në kufirin e Shteteve të Bashkuara janë nga tre vende të dhunshme dhe të varfra të Amerikës Qendrore, Guatemala, Hondurasi dhe El Salvadori, të cilave Uashingtoni u ka premtuar ndihmë në këmbim të angazhimeve për të përmirësuar qeverisjen lokale.

Presidenti amerikan Joe Biden ka qenë nën presion për të zvogëluar rritje e madhe të imigrimit pa dokumente në kufirin SHBA-Meksikë që nga marrja e detyrës në janar./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!