SHBA: Të shqetësuara për kërcënimet në rritje ndaj integritetit territorial të Bosnjës dhe Hercegovinës

schedule14:31 - 1 Korrik, 2024

schedule 14:31 - 1 Korrik, 2024

Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara për “kërcënimet në rritje” ndaj integritetit territorial të Bosnje dhe Hercegovinës që vijnë nga presidenti i Republikës Srpska Milorad Dodik dhe do të vazhdojnë t’i përgjigjen “veprimeve shkëputëse” dhe sulmeve ndaj Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit, duke përfshirë futjen e sanksioneve shtesë, tha sot këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan.

Në një postim në platformën X, Sullivan deklaroi se SHBA-të mbështesin përfaqësuesin e lartë të bashkësisë ndërkombëtare në BeH, Christian Schmidt dhe, siç theksoi ai, përdorimin e kompetencave të tij kur është e nevojshme për të mbrojtur Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit.

“Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë qytetarëve të Bosnje dhe Hercegovinës dhe qëllimit të tyre për të arritur një Bosnjë dhe Hercegovinë demokratike dhe të begatë të integruar në komunitetin euroatlantik,” tha Sullivan.

Dodik tha javën e kaluar se autoritetet e Republika Srpska kanë hartuar një propozim për një marrëveshje mbi “shkëputjen paqësore” të BiH, të cilën ata synojnë t’ia dërgojnë Federatës së BiH për shqyrtim.

Përmbajtja e atij dokumenti ende nuk është publikuar dhe Dodik tha se marrëveshja parashikon një periudhë kalimtare prej tre deri në pesë vjet gjatë së cilës të dy entitetet do të vendosin për përfundimin e ekzistencës së BiH si shtet në bazë të marrëveshjes./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!