SHBA, të enjten publikohet raporti Mueller i redaktuar

schedule09:23 - 16 Prill, 2019

schedule 09:23 - 16 Prill, 2019

Departamenti amerikan i Drejtësisë tha se do të publikojë të enjten një version të redaktuar të raportit prej gati 400 faqesh të prokurorit të posaçëm Robert Mueller mbi ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vitit 2016 për të ndihmuar kandidatin e atëhershëm Donald Trump të fitonte presidencën.

Presidenti Trump tha të hënën se ai tashmë rezulton i pastër nga çdo shkelje e lidhur me zgjedhjet, ndërkohë që ai vetë dhe publiku amerikan presin hollësitë e hetimit 22 mujor të zotit Mueller.

Presidenti tha në Twitter se zoti Mueller dhe Prokurori i Përgjithshëm William Barr, bazuar në gjetjet e hetimit, “kanë përcaktuar tashmë se nuk ka patur bashkëpunim të fshehtë, as pengim të drejtësisë.” Sipas tij, këto krime, janë kryer nga ish-rivalja e tij demokrate Hillary Clinton.

Zoti Mueller hetoi rreth kontakteve të fushatës Trump me Rusinë dhe nëse zoti Trump, si president, pengoi drejtësinë duke u përpjekur të pengonte hetimin.

Në prag të publikimit të raportit, polemikat janë të ashpra.

Para tre javësh, zoti Barr publikoi një përmbledhje prej katër faqesh të gjetjeve të zoti Mueller, duke thënë se prokurori i posaçëm kishte arritur në përfundimin se zoti Trump dhe fushata e tij nuk patën ndonjë bashkëpunim të fshehtë me Rusinë për ta ndihmuar atë të fitonte. Ndërkohë, zoti Barr nuk kishte arritur asnjë përfundim nëse Presidenti Trump kishte penguar drejtësinë. Por meqenëse prokurori i posaçëm Mueller nuk doli me asnjë vendim për çështjen e pengimit të drejtësisë, zoti Barr dhe zëvendësi i tij Rod Rosenstein thanë se nuk kishte vend për akuza për pengim të drejtësisë ndaj zotit Trump.

Zoti Barr, i emëruar nga Presidenti Trump si zyrtari më i lartë i zbatimit të ligjit në vend, tha javën e kaluar se beson që agjencitë amerikane të inteligjencës të kenë spiunuar ndaj fushatës Trump dhe po hapin një hetim për të parë nëse kjo akuzë ka bazë të mjaftueshme.

Sa për raportin e zotit Mueller, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Sarah Sanders i tha televizionit Fox News të djelën: “Nuk mendoj se kjo do ta dëmtojë presidentin.”

Kongresmeni Jerrold Nadler, kryetar i Komisionit Juridik të Dhomës së Përfaqësuesve që po shqyrton çështjen e ndërhyrjes ruse në zgjedhje, tha se zoti Barr duhet t’i dorëzojë komisionit të tij raportin e plotë dhe dëshmitë e tjera hetimore në raport, por zoti Barr nuk ka pranuar.

Zoti Barr ka thënë se do të publikojë sa më shumë të jetë e mundur nga raporti Mueller, duke përjashtuar materialet që kanë të bëjnë me dëshmitë sekrete për jurinë dhe burimet konfidenciale të zbulimit që përfshihen aty./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!