SHBA, sulm në një sinagogë

schedule13:13 - 28 Prill, 2019

schedule 13:13 - 28 Prill, 2019

Një atentat me armë zjarri ndaj një sinagoge në Shtetet e Bashkuara i ka marrë jetën një personi dhe ka lënë të plagosur disa të tjerë. Vetë presidenti Donald Trump ka reaguar lidhur me ngjarjen, duke e cilësuar një sulm me motive raciste.

Një person hapi zjarr ndaj një sinagoge në Kaliforni, duke vrarë një person dhe plagosur tre të tjerë. Sipas mediave amerikane, policia ka vënë në pranga lidhur me sulmin një 19-vjeçar të identifikuar me emrin John Earnest. Në sinagogë po mbahej një shërbesë në momentin kur agresori hyri brenda dhe hapi zjarr.

Policia nuk dha detaje mbi motivet e atentatit, por presidenti Donald Trump deklaroi se sulmi ishte me motive raciste. Agresioni vjen 6 muaj pas një tjetër incidenti të ngjashëm të ndodhur në Pitsburg, në tetor 2018, kur mbetën të vrarë 11 persona.

Ishte sulmi më i rëndë ndaj një sinagoge në dekadat e fundit në Shtetet e Bashkuara. Ndërkohë, lidhur me rastin e fundit autoritetet deklaruan se hetuesit po kontrollojnë aktivitetin e të dyshuarit në rrjetet sociale si dhe një letër të publikuar online prej tij.

Në letër, atentatori John Earnest thoshte se ndihej i frymëzuar nga sulmet në xhamitë e Christchurch, në Zelandën e Re, muajin e kaluar. Mediat amerikane kanë zbuluar gjithashtu se, 19-vjeçari ishte nën hetim për zjarrin e rënë në një xhami muajin e kaluar./abcnews.al