Një palestër joge në Shtetet e Bashkuara është kthyer në skenën e radhës të një sulmi të armatosur, që ka lënë disa persona të vdekur dhe të plagosur. Ngjarja e fundit ndodh një javë pas asaj në Pitsburg, ku një person hapi zjarr brenda një sinagoge duke vrarë 11 vetë.
Një person i armatosur hapi zjarr në ambjentet e një palestre joge në Florida të Shteteve të Bashkuara, duke vrarë dy persona dhe plagosur 5 të tjerë. Viktimat janë dy gra të moshave 61 dhe 21 vjeç, të cilat kishin vajtur në palestër për një seancë ushtrimesh. Më pas ai autori, 40 vjeç, ktheu armën drejt vetes dhe i dha fund jetës. Autoritetet policore të lokalitetit Tellehesi dënuan ngjarjen, por shtuan se motivet e këtij akti kriminal nuk dihen ende. Sipas burimeve, agresori qëlloi veten para se në vendin e ngjarjes të mbërrinte policia. Ndërkohë, tre nga personat e plagosur u larguan nga spitali pasi morën mjekim, ndërsa dy të tjerë qëndruan për të vijuar trajtimin. Kryebashkiaku i Tellehesit, Endriu Gillum, që kandidon për guvernator të Floridës në zgjedhjet e 6 nëntorit, ndërpreu fushatën për t’u kthyer në qytet. “Dhuna e armëve është e patolerueshme”, tha Gillum. Sulmi me armë në Florida vjen një javë pas atij të ndodhur në Pitsburg, ku një person hapi zjarr brenda një sinagoge duke vrarë 11 persona dhe plagosur shumë të tjerë. Të njëjtën ditë, presidenti Trump deklaroi se ngjarje të tilla nuk kanë lidhje me ligjin për armët dhe i mëshoi idesë së vendosjes së rojeve të armatosura në objektet e kultit. /abcnews.al