SHBA, senatori Bob Menendez shpallet fajtor në skemën e ryshfetit

schedule22:22 - 16 Korrik, 2024

schedule 22:22 - 16 Korrik, 2024

Senatori i Nju Xhersit, Bob Menendez, është shpallur fajtor në 16 pika për pranim ryshfeti, përfshirë edhe shufra ari – në vlerë të mbi 100 mijë dollarëve – dhe një makinë Mercedes-Benz, në këmbim të ndihmës për qeveritë e huaja.

Menendez – ish udhëheqës i Komitetit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë – tani përballet me mundësinë e dekadave në burg dhe mundësinë e dëbimit prej Partisë Demokratike.

Ai ka deklaruar se është i pafajshëm përgjatë procesit gjyqësor tetëjavor.

Avokatët e tij kanë thënë se dhuratat që ka pranuar nuk cilësohen ryshfet, sepse prokurorët kanë dështuar të vërtetojnë se ai ka marrë ndonjë vendim specifik, si rezultat i pranimit të këtyre aseteve.

Gruaja e Menendezit, Nadine Arslanian Menendez, përballet, gjithashtu, me akuza në rastin për ryshfet, mirëpo gjyqi ndaj saj është shtyrë, ashtu që t’i nënshtrohet një trajtimi për kancer të gjirit.

Ajo, po ashtu, është deklaruar e pafajshme.

Avokatët e senatorit kanë tentuar të bartin fajin te zonja Menendez, duke e portretizuar si individ me probleme financiare, dhe që ajo ka mëtuar të fitojë “para të gatshme dhe asete në çdo mënyrë të mundshme”.

Dy biznesmenët, Wael Hana dhe Fred Daibes, janë duke u gjykuar, po ashtu, me akuzat se i janë afruar senatorit për ta bindur që të ndihmojë ilegalisht Qeverinë e Egjiptit dhe të sigurojë miliona dollarë prej një fondi të Katarit për investime.

Biznesmeni i tretë, Jose Uribe, është shpallur fajtor dhe ka dëshmuar kundër senatorit Menendez në gjykatë.

Përgjatë procesit gjyqësor, prokurorët kanë përdorur dëshmi të ekspertëve, emaile dhe mesazhe me shkrim të senatorit, për të vërtetuar që ai është shpërblyer prej qeveria të huaja. /rel

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!