SHBA/ Senati shmang bllokadën e dytë

schedule22:35 - 7 Shkurt, 2018

schedule 22:35 - 7 Shkurt, 2018

Senati në Shtetet e Bashkuara ka arritur një marrëveshje për një buxhet 2-vjeçar për shërbimet federale, duke shmangur kështu një bllokadë të dytë, pas asaj të verifikuar në Janar, kur u pezulluan shërbimet federale.

Senati amerikan ka arritur një marrëveshje për një buxhet 2-vjeçar, me vlerë 400 miliardë dollarë, që do të rrisë shpenzimet për mbrojtjen dhe programet e brendshme. Marrëveshja dypartiake u negociua nga senatori republikan Mitch McConnell dhe kolegu demokrat, Chuck Schumer.

Tani drafti duhet të kalojë në Senat dhe në Dhomën e Përfaqësuesve, ku pritet të hasë kundërshtime. Ujdia e arritur vjen në prag të skadimit të një afati, që do të shënonte një tjetër pezullim të shërbimeve federale, sikurse ndodhi muajin e kaluar.

Palët në Kongres duhet të bien dakord përpara se qeverisë t’i mbarojnë fondet, mesnatën e së enjtes, kur buxheti njëmujor i caktuar nga pakti i mëparshëm skadon. Si demokratët edhe republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve kanë shprehur rezervat e tyre për draftin.

Demokratja Nancy Pelosi u zotua më herët se do të kundërshtonte çdo buxhet që nuk përfshin mbrojtjen e emigrantëve të rinj, që janë sjellë në Amerikë në moshë të mitur nga prindërit. Ndërsa zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders përshëndeti hapin e parë të akordit, duke thënë se gjërat po lëvizin në drejtimin e duhur. Por ajo nuk tha nëse presidenti Trump do ta firmosë atë që të kthehet në ligj./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!