Forcat amerikane kanë ndaluar dhe sekuestruar një cisternë nafte të sanksionuar pranë bregdetit të Venezuelës. Presidenti Donald Trump konfirmoi operacionin gjatë një takimi me liderë biznesi në Shtëpinë e Bardhë.
Zyrtarët thanë gjithashtu se operacioni u udhëhoq nga Garda Bregdetare e SHBA-së, pa zbuluar emrin e tankerit apo vendin e saktë të incidentit. Ky veprim shënon një përshkallëzim të ri nga administrata Trump, e cila në javët e fundit ka intensifikuar presionin ndaj presidentit venezuelian Nicolas Maduro.
SHBA akuzon zotin Maduro se udhëheq një operacion trafikimi droge në Venezuelë, akuzë që ai e mohon. Gjatë këtij viti, Pentagoni ka kryer mbi 20 sulme ndaj anijeve të dyshuara për trafik droge pranë Venezuelës dhe Kolumbisë, duke vrarë mbi 80 të dyshuar. Ky veprim vjen pas sugjerimeve nga Trump se SHBA mund të ndërhynte edhe me trupa tokësore në Venezuelë. Duke folur për Politico të martën, ai nuk komentoi nëse trupat amerikane do të hyjnë në vend, por tha se “ditët e zotit Maduro janë të numëruara”.
Sipas mediave amerikane qeveria e Maduro e konsideron veprimin e SHBA-së si një grabitje të rezervave të naftës së Venezuelës – ndër më të mëdhatë në botë.
/ abcnews.al /

