SHBA, Sekretari i Mbrojtjes hedh poshtë marrëveshjet për pranim fajësie lidhur me sulmet e 11 shtatorit

schedule17:03 - 3 Gusht, 2024

schedule 17:03 - 3 Gusht, 2024

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin hodhi poshtë të premten marrëveshjet e arritura në fillim të javës me organizatorin e sulmeve të 11 shtatorit, Khalid Sheikh Mohammed dhe dy bashkëpunëtorët e tij për pranimin e fajësisë nga ana e tyre, mesa duket në këmbim të shmangies së dënimit me vdekje.

Të tre të akuzuarit mbahen në burgun ushtarak amerikan në Gjirin e Guantanamos në Kubë.

Pentagoni tha të mërkurën se ishin arritur marrëveshjet për pranimin e fajësisë, por nuk dha hollësi për kushtet. Një zyrtar amerikan tha se marrëveshjet pothuajse me siguri përfshijnë pranimin e fajësisë në këmbim të shmangies së dënimit me vdekje.

Por të premten Sekretari Austin lëshoi një urdhër ku shprehej se “duke pasur parasysh rëndësinë” e kësaj çështjeje, ai kishte vendosur që autoriteti për të marrë një vendim për marrëveshjet për pranimin e fajësisë, duhet t’i takonte atij. Ai anuloi vendimin e zyrtares që ishte emëruar për të mbikqyrur gjykatën e luftës në Guantanamo, Susan Escallier lidhur me marrëveshjet.

Disa familje të viktimave të sulmeve i kritikuan ashpër marrëveshjet, pasi thanë se ato përjashtojnë mundësinë për gjykime të plota dhe dënime me vdekje.

Republikanët fajësuan menjëherë administratën e Presidentit Joe Biden, megjithëse Shtëpia e Bardhë tha se nuk kishte pasur dijeni paraprake për vendimin.

Khalid Sheikh Mohammed është i burgosuri më i njohur në qendrën e paraburgimit në Gjirin e Guantanamos, që u krijua në vitin 2002 nga Presidenti i atëhershëm Xhorxh W. Bush për të mbajtur të ndaluar të dyshuarit si militantë të huaj pas sulmeve të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara.

Numri më i lartë i të ndaluarve në atë kompleks ka qenë 800. Sot në Guantanamo janë 30 të burgosur.

Marrëveshja mes qeverisë së Shteteve të Bashkuara dhe të akuzuarve për pranimin e fajësisë për 11 shtatorin vjen më shumë se 16 vjet pasi filloi procesi penal ndaj tyre lidhur me sulmet e Al-Kaidës dhe më shumë se 20 vjet pas sulmeve që shkaktuan vdekjen e afro 3,000 personave dhe pas së cilave SHBA filloi luftën në Afganistan që vazhdoi për dy dekada.
Marrëveshjet për pranimin e fajësisë ishin arritur edhe me dy të burgosur të tjerë: Walid Muhammad Salih Mubarak Bin ‘Attash dhe Mustafa Ahmed Adam al Hawsawi./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!