Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar sanksione të reja mbi kompanitë dhe anijet e transportit detar të naftës venezueliane.
Po ashtu në listën e sanksioneve u përfshinë edhe persona afër familjes së Nicolas Maduro dhe një biznesmen i lidhur me presidentin venezuelian. Mes të sanksionuarve janë tre nipër të gruas së Maduros, dy prej të cilëve ishin dënuar më parë për trafik droge në Shtetet e Bashkuara, por u liruan në një shkëmbim të burgorurish.
Kjo është goditja më e fundit e administratës amerikane ndaj Karakasit, pas sekuestrimit të një anijeje cisternë për të cilën Shtetet e Bashkuara thanë se transportonte naftë të sanksionuar nga Venezuela dhe Irani.
Departamenti i Thesarit tha se 6 anijet e sanksionuara së fundmi ishin të përfshira në praktika mashtruese dhe të pasigurta transporti që i siguronin burime financiare qeverisë së Maduros.
Sekuestrime të tjera janë të mundshme në javët në vijim, ndërsa Shtetet e Bashkuara ushtrojnë presion mbi Maduron për të lënë pushtetin.
Maduro ka thënë se fushata e Trump kundër tij është motivuar nga synimi për të marrë naftën venezueliane.
Ai ka refuzuar të largohet nga vendi edhe pse mediat ndërkombëtare kanë raportuar se kjo ka qenë një kërkesë e presidentit amerikan.
Megjithatë Maduro ka siguruar aleatë në Amerikën Latine. Kolumbia, e cila ka pasur gjithashtu përplasje diplomatike me Trump, i ka hapur derën presidentit venezuelian.
Ministri i Jashtëm i Kolumbisë tha se nëse Maduro zgjedh të largohet, ai nuk sheh asnjë arsye pse vendi i tij të mos i ofrojë azil.

