Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mike Johnson do të përballet me një javë të rëndësishme sa i përket mandatit të tij dhe karrierës politike, ndërsa kërcënimet për shkarkimin e tij vijojnë.
Kongresi Amerikan do të diskutojë sërish këtë javë miratimin e paketës prej 60 miliardë dollarë ndihmash për Ukrainën, një çështje urgjente kjo sipas Demokratëve megjithatë republikanët nuk janë të të njëjtit mendim.
Mike Johnson, kryetar republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, tha më 31 mars në një intervistë për Fox News se dëshiron që ndihma e re për Ukrainën të aprovohet “menjëherë” dhe la të kuptohej se do ta paraqesë një propozim të ri menjëherë sapo Kongresi të kthehet nga pushimet këtë të martë.
Pikërisht kjo deklaratë e tij ka bërë që shumë republikanë të zemërohen duke paralajmëruar një mocion për shkarkimin e Johnson nga roli I tij si Kryetar i dhomës së përfaqësuesve.
Sipas CNN Mike Johnson ka në plan që të paraqesë një propozim që ndihma për Ukrainën të jepet në formën e një pakete financiare të copëzuar. Ky propozim i cili mund të jetë një formë kompromisi mes palëve sipas mediave amerikane dhe analistëve politikë atje do të sjellë me siguri një reagim shumë të ashpër të republikanëve. Nga ana tjetër ky propozim mund të mos pranohet gjithashtu edhe nga Demokratët të cilët e kanë bërë të qartë se paketa prej 60 miliardë dollarësh është urgjente për Ukrainën dhe se nuk mund të jepet më pak se kaq.
Përtej luftës në Ukrainë, Kongresi Amerikan ka dhe shqetësime të tjera që duhen shqyrtuar duke përfshirë shembjen e një Ure në Baltimore muajin e shkuar, financimin e sektorit publik dhe gjithashtu edhe çështjet e sigurisë kombetare.
Skenari i mundshëm i shkarkimit të Republikanit Mike Johnson nga roli i Kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve i ngjan dinamikës politike të 5 muajve më parë kur Kevin McCarthy u shkarkua nga po i njëjti post pasi republikanët u revoltuan me kompromisin e tij për të shmangur mbylljen federale të qeverisë Amerikane./abcnews.al