SHBA/ Republikanët dhe demokratët arrijnë marrëveshjen për buxhetin

schedule19:46 - 22 Janar, 2018

schedule 19:46 - 22 Janar, 2018

Ndërprerja e shërbimeve federale në Shtetet e Bashkuara ka marrë fund, pasi republikanët dhe demokratët kanë gjetur gjuhën e përbashkët për miratimin e buxhetit afatshkurtër për administratën.

Pezullimi i shërbimeve federale në Shtetet e Bashkuara do të marrë fund së shpejti pasi republikanët dhe demokratët në Senat kanë arritur një marrëveshje të përkohshme për buxhetin afatshkurtër. Senatori demokrat Chuck Schumer, i cili paralajmëroi votën pro të partisë së tij, deklaroi se pezullimi treditor, i njohur ndryshe si shutdoën, pritet të mbarojë brenda pak orësh.

Bllokada nisi ditën e shtunë, pasi projektligji për të financuar qeverinë federale deri më 16 shkurt nuk mori kuorumin prej 60 votash në seancë.

Ngërçi preku disa qindra mijëra punonjës federalë, ndërsa solli dhe përplasjet politike mes palëve. Presidenti Donald Trump akuzoi demokratët se po vendosnin interesat e tyre politike mbi ato të popullit amerikan, ndërsa pala tjetër e akuzoi kreun e shtetit se kishte refuzuar një kompromis dypalësh dhe se nuk kishte bërë sa duhet presion ndaj partisë së tij në Kongres.

Kompromisi në fjalë parashikonte që bashkë me buxhetin afatshkurtër të kaloheshin edhe reforma për emigracionin dhe ajo për sigurinë kufitare. Por për republikanët, kjo ishte një marrëveshje e gabuar, që do të mbronte emigrantët ilegalë përpara fëmijëve të varfër të Amerikës dhe gatishmërisë ushtarake.

Senatori Schumer deklaroi këtë të hënë se, ndërkohë që miratohet buxheti i përkohshëm, demokratët do të vijojnë negociatat për implementimin e marrëveshjes./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!