Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë regjistruar një numër rekord rastesh të reja me koronavirus në 10 ditët e para të nëntorit. Sipas raportimeve, më shumë se 1 milion raste të reja me Covid-19 u regjistruan deri më 10 nëntor.
Ndërsa, totali i të infektuarve në vend ka shkuar në rreth 10.6 milion, teksa po regjistrohen dita ditës nga 100,000 të infektuar. Disa shtete të vendit kanë regjistruar shifra rekord të infektuarish të martën, duke përfshirë këtu konfirmimin e më shumë se 12,600 rasteve në Illinois, 10,800 në Texas dhe 7,000 në Wisconsin.
Edhe numri i viktimave po rritet, tashmë mesatarja në vend është 930 viktima në ditë.
“Virusi po përhapet në një mënyrë kryesisht të pakontrolluar në pjesën dërrmuese të vendit,” u shpreh për AP, Dr. William Schaffner, ekspert i sëmundjeve infektive në Universitetin Vanderbilt.
Ndërkohë, guvernatorët shteteve vijojnë t’u bëjnë thirrje njerëzve që ta marrin seriozisht luftën kundër virusit. s.b/abcnews.al/