SHBA, protestuesit tentojnë të rrëzojnë e statujën e Andrew Jackson para Shtëpisë së Bardhë

schedule13:52 - 23 Qershor, 2020

schedule 13:52 - 23 Qershor, 2020

Statuja e ish-presidentit amerikan Andrew Jackson brenda Parkut Lafayette përpara Shtëpisë së Bardhë, ishte në shënjestër të një grupi demonstruesish.

Rrëzimi i statujave në vende të ndryshme që nisi si reagim kundër racizmit pas vdekjes së afro-amerikanit George Floyd si pasojë e dhunës policore, arriti edhe në Shtëpinë e Bardhë.

Qindra demonstrues lidhën me litarë statujën e presidentit të 7-të të SHBA-së, Jackson, e konsideruar si simbol i Parkut Lafayette, duke u përpjekur ta rrëzojnë atë.

Ndërkohë, gjersa protestuesit me parulla kundër Jackson vazhduan përpjekjet e tyre për rrëzimin e statujës,  policia e Shërbimit Sekret ndërhyri me shpejtësi.

Policia përdori gaz lotsjellës për t’i shpërndarë protestuesit dhe e mori statujën nën mbrojtje.

Jackson njihet si arkitekti i Aktit të Largimit të Indianëve, që u bë shkak për vdekjen e shumë vendasve, si dhe president që zotëronte shumë skllevër.

Reagimi i  Trump

Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar në Twitter për incidentin.

“Shumë njerëz u arrestuan për vandalizmin e turpshëm ndaj statujës së mrekullueshme të Andrew Jackson në Parkun Lafayette”, shkroi Trump.

Ai tha se personat në fjalë mund të dënohen deri në dhjetë vite burgim sipas një ligji për ruajtjen e statujave.

Tashmë disa javë në shtete të ndryshme të SHBA-së janë rrënuar ose shkatërruar shumë statuja të drejtuesve ose komandantëve të periudhës së konfederatës të cilët kanë qenë përkrahës të skllavërisë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!