SHBA premton mbështetje ushtarake dhe politike ndaj Ukrainës

schedule08:45 - 2 Shkurt, 2021

schedule 08:45 - 2 Shkurt, 2021

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka premtuar mbështetje të vazhdueshme për Ukrainën nga ana e administratës së re të presidentit, Joe Biden.

Gjatë një bisede telefonike me ministrin e Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, Blinken “theksoi mbështetjen e fuqishme për sovranitetin e Ukrainës, integritetit territorial dhe aspiratat e integrimit euro-atlantik”, njoftoi Departamenti i Shtetit.

“Ai u zotua se SHBA-ja do të vazhdojë ndihmën e fuqishme ekonomike dhe ushtarake për Ukrainën”, thuhet në njoftim, derisa po punon për një rezolutë diplomatike ndaj agresionit të Rusisë në Ukrainën lindore dhe Krime.

Blinken gjithashtu i bëri thirrje Ukrainës të mbajë ritmin në luftën kundër korrupsionit, zbatimin e sundimit të ligjit dhe reformat ekonomike. Dy shefat e diplomacisë, diskutuan gjithashtu edhe për pandeminë e koronavirusit.

Ukraina është mbështetur në ndihmën dhe përkrahjen e SHBA-së, kundër Rusisë, që kur Moska aneksoi në mënyrë të paligjshme Krimenë, në vitin 2014, dhe mbështeti separatistët në Ukrainën lindore./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!