SHBA përuron ambasadën në Jeruzalem/ E bija e dhëndri përfaqësojnë Trump

schedule21:29 - 14 Maj, 2018

schedule 21:29 - 14 Maj, 2018

Shtetet e Bashkuara përuruan të hënën ambasadën e re në Jeruzalem. Ivanka Trump dhe bashkëshorti Jared Kushner përfaqësuan presidentin Trump në këtë ceremoni, që është kritikuar nga Palestina dhe Liga Arabe.

Shtetet e Bashkuara kanë përmbushur të hënën premtimin e bërë Izraelit për zhvendosjen e ambasadës nga Tel Avivi në Jeruzalem, disa muaj pasi Donald Trump e njohu atë si kryeqytetin e shtetit hebre. Vetë Trump nuk ishte i pranishëm në ceremoninë e përurimit, por ai përfaqësohej nga e bija Ivanka dhe dhëndri Jared Kushner, njëkohësisht i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Lindjen e Mesme. Ishte Ivanka Trump ajo që zbuloi pllakën e identifikimit të ambasadës, në ceremoninë që ishte përgatitur të përkonte me 70-vjetorin e shtetit izraelit. Në fjalën e tij, kryeministri Benjamin Netanyahu falenderoi presidentin Trump per kurajën e treguar me mbajtjen e premtimit. “Kjo është një ditë e lavdishme për Izraelin. Ne jemi në Jeruzalem dhe jemi këtu për të qëndruar”, tha Netanyahu. Ndërsa Kushner në fjalën e tij tha se, ekzistojnë kushtet që dy palët e përfshira në konfliktin izraelito-palestinez të korrin përfitimet nga procesi i paqes. “Jeruzalemi duhet të mbetet qyteti që bashkon njerëzit e të gjitha besimeve”, u shpreh Kushner. Ndërkohë, lideri i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas dënoi zhvendosjen e ambasadës duke e cilësuar si një pushtim të Jeruzalemit lindor dhe duke thënë se Shtetet e Bashkuara nuk janë më negociatori për paqen në Lindjen e Mesme. Po ashtu, shefi i Ligës Arabe, Ahmed Abul Gheit e cilësoi të turpshme pjesëmarrjen e përfaqësuesve të shteteve të ndryshme në ceremoninë e përurimit të ambasadës. “Është e turpshme të shohësh krerët e vendeve të ndryshme të marrin pjesë në ceremoninë për zhvendosjen e ambasadës, që është një shkelje e rëndë të ligjit ndërkombëtar”, tha Gheit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!