SHBA, përkthyesja e takimit Trump-Putin kërkohet të dëshmojë në Kongres

schedule14:08 - 19 Korrik, 2018

schedule 14:08 - 19 Korrik, 2018

Demokratët në SHBA kërkojnë që përkthyesja e Trump në takimin e tij me Putin në Helsinki, të dëshmojë në Kongres për bisedën mes dy liderëve. Megjithatë kjo kundërshtohet nga Shtëpia e Bardhë.

Demokratët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar që përkthyesi i Donald Trump të dëshmojë para Kongresit për takimin mes presidentit amerikan dhe homologut të tij rus Vladimir Putin në samitin e Helsinkit, gjatë së cilit qëndrimi shumë pajtues i Trump konsiderohet prej tyre se përbëri skandal.

Të hënën në kryeqytetin finlandez, të dy presidentët folën për dy orë. Vetëm dy përkthyes ishin me ta, dhe demokratët besojnë se gruaja që përktheu fjalët e Putinit për Trump dhe ndoshta mori shënime e mund të ketë informacione vendimtare për atë që u tha mes tyre.

“Ne duam që përkthyesi të vijë para komisionit, ne duam të shohim shënimet”, tha senatori demokrat, Bob Menendez, një anëtar i Komitetit të Punëve të Jashtme, në MSNBC.

“Ne do të bëjmë të gjitha përpjekjet për të provuar se çfarë ka ndodhur,” shtoi ai.

Në anën e republikanëve, kryetari i Komitetit të Punëve të Jashtme të Senatit, Bob Corker tha se i kuptonte kërkesat për të dëgjuar në kongres përkthyesen dhe do të shihte nëse ekzistojnë precedentë. E pyetur, zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Heather Nauert tha se “asnjë kërkesë zyrtare” nuk është bërë për këtë qëllim “deri më tani”.

Shtëpia e Bardhë ndoshta do të përpiqet ta hedhë poshtë këtë pretendim duke u parë prerogativat e ekzekutivit dhe duke argumentuar se asnjë president nuk mund të detyrohet të zbulojë biseda private, e aq më pak përkthyesi i tij.

Zëdhënësja e Trump, Sarah Sanders, shpjegoi se nuk kishte dijeni për një regjistrim të mundshëm të bisedës midis dy presidentëve. Kryetari i Komitetit të Punëve të Jashtme të Senatit, Bob Corker tha gjithashtu se marrja në pyetje e sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo, i cili ishte në Helsinki me Donald Trump dhe me siguri mori një raport nga presidenti, ishte një alternativë më e mirë. Pompeo është planifikuar të dëshmojë përpara Komitetit të Senatit më 25 Korrik./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!