Përkeqësohet bilanci i viktimave nga zjarri në Kaliforni të Shteteve të Bashkuara. 25 persona kanë humbur jetën ndërsa 110 të tjerë janë shpallur të zhdukur. Ekipet zjarrëfikëse vijojnë betejen për të vënë nën kontroll flakët.
Zjarret që janë shkatërruese në Kaliforni kanë shkaktuar të paktën 25 të vdekur dhe 110 të zhdukur. Bilanci, i cili më herët ishte me 11 viktima, u përkeqësua me zbulimin e disa trupave të pajetë në Paradise, qyteti më i goditur deri më tani. 250,000 njerëz po largohen nga të gjitha zonat e prekura në Los Anxhelos, ndër ta edhe VIP-at, vilat e të cilëve në Malibu janë të rrethuar nga flakët. “Shkatërrimi është katastrofik. Zjarret zhvillohen shumë shpejt, në disa raste edhe 100 hektarë për minutë. Qytetarët duhet të evakuohen shpejt, duke ekzekutuar urdhrat e zyrtarëve publikë”. Ky është reagimi i presidentit Donald Trump me anë të një mesazhi në tuitër.
Një mantel tymi dhe hiri helmon ajrin, madje edhe në gjirin e San Franciskos. “Është zjarri më i keq në historinë e Kalifornisë”, thonë ekipet e shpëtimit, duke folur për një ferr që nuk është parë kurrë në Shtetin e Artë, por i mësuar në vitet e fundit me zjarret gjithnjë e më shkatërruese. Kjo – shpjegojnë ekspertët – kryesisht ndodh për shkak të një thatësie të paparë, pavarësisht nga presidenti Trump i cili nuk beson në efektet e ndryshimeve klimatike. Ndërsa kreu I Shtëpisë së Bardhë ka kërcënuar me ndërprerje fondesh ndaj autoritetit të mbrojtjes së pyjeve.
Por për ata që janë të angazhuar në një garë dramatike kundër kohës, polemika politike në këtë moment nuk llogaritet për asgjë. Imazhet e medias lokale japin dimensionin e saktë të dramës, me zjarrin që ka përpirë çdo gjë: drurët, pyjet, shtëpitë, depot industriale, rrugët. Dhe një det me makina, të bllokuara, të goditura nga muri i zjarrit dhe i reduktuar në një grumbull hiri dhe mbeturina. Ato makina në të cilat u gjetën shumica e viktimave. Mbi 7,000 shtëpi janë shkatërruar dhe qyteti Paradise, ku janë regjistruar shumica e viktimave dhe të zhdukurve, është fshirë praktikisht nga flakët. Ndërkohë, shumë persona kanë mbetur të bllokuar nga flakët dhe ekipet e shpëtimit e kanë shumë të vështirë që t’i evakuojnë pasi rrugët janë bllokuar nga zjarri dhe mejtet e braktisura./abcnews.al