SHBA përcakton ‘thelbin” e Asocacionit, thirrje Kosovës: Tregoni vizionin tuaj

schedule10:16 - 30 Janar, 2023

schedule 10:16 - 30 Janar, 2023

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë përsëritur thirrjen për autoritetet e Kosovës se është koha për formimin e asociacionit. Këshilltari i Departamentit të Shtetit, Derek Cholet dhe i dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar në një shkrim të publikuar sot në “Kossev”, thonë se Asociacioni do të ishte strukturë për komunat me popullatë serbe, i cili do të bashkërendiste çështjet dhe shërbimet si arsimi, kujdesi shëndetësor, planifikimi urban e rural si dhe zhvillimi ekonomik.

Sipas tyre, deri më tani është folur mjaftueshëm për Asociacionin dhe se është koha që të tregojmë se çfarë është në të vërtetë ai.

“Në përgjithësi, Asociacioni do të ishte strukturë për komunat me popullatë me shumicë etnike serbe për të bashkërenditur çështjet dhe shërbimet si arsimi, kujdesi shëndetësor, planifikimi urban dhe rural dhe zhvillimi ekonomik lokal – me fjalë të tjera, funksionet për të cilat të gjitha komunat në Kosovë janë përgjegjëse. Është mënyrë për përmirësimin e jetës së përditshme të qytetarëve, krijimin e besimit ndërmjet serbëve etnikë dhe qeverisë qendrore, sigurimin e lidhjeve më të mira ndërmjet veriut dhe pjesës tjetër të vendit, dhe krijimin e mekanizmave për serbët për pjesëmarrje më të madhe në jetën shoqërore të Kosovës”.

Ata theksojnë se do të kundërshtojnë  rreptësisht krijimin e çfarëdo etniteti që i përngjan Republikës Serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe se bashkësia ndërkombëtare nuk po kërkon të imponojë një gjë të tillë.

“Nuk do të jetë një nivel i ri shtesë i qeverisjes përveç pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ të qeverisë së Kosovës”, thuhet ndër të tjera në këtë shkrim, por krahas kësaj, ata i bëjnë apel autoriteteve të Kosovës të tregojnë vizionin e tyre:

“Është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se Asociacioni/Bashkësia e komunave me shumicë serbe nuk do të jetë mono-etnike. Në vend të kësaj, ne po kërkojmë nga Kosova që të ofrojë vizionin e saj për këtë asociacion dhe jemi të gatshëm të ofrojmë ekspertizë dhe mbështetje politike për të siguruar që ajo funksionon në interesin më të mirë të kosovarëve”

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!