SHBA paraqet një propozim të ri për armëpushimin në Gaza

schedule20:04 - 16 Gusht, 2024

schedule 20:04 - 16 Gusht, 2024

Shtetet e Bashkuara kanë paraqitur një propozim të ri për një armëpushim në Gaza në takimin e mbajtur në Doha të premten, me qëllim arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që Izraeli dhe Hamasi do ta pranonin dhe do t’i hapnin rrugën një përfundimi gradual të krizës në Lindjen e Mesme.

Egjipti dhe Katari e mirëpritën propozimin e SHBA-së me një deklaratë të përbashkët, duke theksuar se marrëveshja e re bazohet në themelet e propozimit të Joe Biden, të cilin Hamasi e ka kërkuar si bazë të çdo diskutimi.

Sipas zyrtarëve, propozimi i ri i SHBA-së plotëson shumë nga boshllëqet që ekzistonin dhe krijon kushtet për zbatimin e tij të shpejtë për të dhënë një zgjidhje të shpejtë.

“Më parë sot në Doha, Shtetet e Bashkuara me mbështetjen e Egjiptit dhe Katarit, u paraqitën të dyja palëve një propozim urë që është në përputhje me parimet e përcaktuara nga Presidenti Biden më 31 maj 2024 dhe Rezolutën nr. 2735 të Këshillit të Sigurimit. Ky propozim kapërcen boshllëqet e mbetura në mënyrën që mundëson zbatimin e shpejtë të marrëveshjes”, thuhet në deklaratë.

Bisedimet, në këtë fazë fillestare, të zhvilluara në Doha kanë përfunduar. Tashmë priten reagime nga palët e përfshira, në mënyrë që raundi i dytë të mbahet të premten e ardhshme, këtë herë në Kajro.

Hamasi nuk kishte asnjë delegacion në Doha, duke këmbëngulur se të vetmet diskutime që mund të zhvillohen duhet të bazohen në propozimin e Joe Biden.

Një zyrtar i lartë i Hamasit i tha Reuters se bisedimet e mbajtura në Doha nuk ishin të detyrueshme për grupin, duke këmbëngulur se Izraeli nuk është i përkushtuar të ndalojë ofensivën për eliminimin e Hamasit, duke bërë thirrje për një zgjidhje të përhershme të armëpushimit dhe jo një zgjidhje të përkohshme./abcnews.al