Nga konferenca e sigurisë në Mynih, këshilltari i presidentit Trump ka paralajmëruar vendet që investojnë në Iran, përfshirë ato që janë aleate të SHBA. Gjithashtu, ai ka replikuar me ministrin e Jashtëm rus sa i takon ndërhyrjes në zgjedhje.
Nga Mynihu, ku po zhvillohet Konferenca e Sigurisë, Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar vendet që investojnë në Iran, përfshirë të zotët e shtëpisë. “Kush investon në Iran investon për Gardën Revolucionare dhe në këtë mënyrë u mundëson atyre të vazhdojnë të vrasin”, ka deklaruar këshilltari i presidentit Trump, Herbert Raymond McMaster.
Ai ka theksuar se, në Iran nuk investojnë vetëm Kina dhe Rusia, por edhe Gjermania, Japonia dhe Korea e Jugut. Ndër të tjera, këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare ka komentuar edhe akuzat e ngritura nga drejtësia amerikane ndaj 13 shtetasve rusë për ndërhyrje në zgjedhje, duke thënë se ato janë të pakontestueshme.
Por “Shtetet e Bashkuara po aftësohen gjithnjë e më shumë në gjurmimin e origjinës së këtij spiunazhi dhe kësaj ndërhyrje”, ka thënë McMaster. Në këtë mënyrë ai i është përgjigjur edhe deklaratës së ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, që i kishte cilësuar akuzat e ngritura vetëm “thashetheme”.
Ndërkohë, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka ngritur shqetësimin se Rusia po zhvillon armë të reja bërthamore që përbëjnë kërcënim për Perëndimin. “Rusia po modernizon kapacitetet e saj bërthamore, po zhvillon sisteme të reja bërthamore dhe po shton rolin e këtyre armëve në strategjinë e saj ushtarake. Ky është një shqetësim i madh”, ka thënë Stoltenberg./abcnews.al