Parada ushtarake e urdhëruar nga presidenti amerikan Donald Trump është shtyrë për në vitin 2019. Ky vendim është marrë për shkak të shpenzimeve marramendëse. Parada pritet të kushtojë mbi 90 milionë dollarë.
Planet e Presidentit amerikan, Donald Trump, për një paradë ushtarake në Ditën e Veteranëve nëpër rrugët e Uashingtonit, janë shtyrë deri së paku në vitin 2019. Trump ishte i impresionuar nga parada e Ditës së Bastijës të Francës në një vizitë në vitin 2017 dhe tha se Shtetet e Bashkuara mund ta zhvillojnë një të tillë. Por shifrat e lëshuara të enjten sugjeruan se ngjarja mund të kushtojë rreth 90 milionë dollarë – më shumë se trefishi i vlerësimit fillestar.
Kritikët kishin bërë edhe krahasime me parada në vendet e udhëhequra nga autokratët. Parada u konceptua fillimisht për të shënuar 100-vjetorin e fundit të Luftës së Parë Botërore, më 11 nëntor. Një zëdhënës i Pentagonit, kolonel Rob Manning, tha në një deklaratë se Departamenti i Mbrojtjes dhe Shtëpia e Bardhë “tani kanë rënë dakord të shqyrtojnë mundësitë në vitin 2019”.
Drejtori i buxhetit të paradës kishte ofruar një vlerësim midis 10 dhe 30 milionë dollarë kur Shtëpia e Bardhë njoftoi kërkesën e saj në shkurt. Por një zyrtar amerikan dha një vlerësim të ri prej 92 milion dollarësh. Një memorandum kur plani u diskutua për herë të parë tha se asnjë tank nuk do të përdoret në mënyrë që të mos dëmtojë rrugët e kryeqytetit të vendit. Demokratët e cilësojnë këtë urdhër të presidentit Trump si shpenzim absurd parash./abcnews.al