Teksa republikanët dhe demokratët nuk lëvizin nga qëndrimet e tyre, bllokada federale që ka nisur në Shtetet e Bashkuara rrezikon të fusë në kaos ditën e Krishtlindjes, kur kërkesat e qytetarëve për shërbimet qeveritare pritet të jenë më të larta.
Bllokada e pjesshme e shërbimeve federale në Shtetet e Bashkuara do të përfshijë edhe Krishtlindjen, pasi Senati amerikan i mbledhur të shtunën nuk arriti të tejkalonte ngërçin politik që ka në sfond financimin e murit me Meksikën. Pa dritë në fund të tunelit, kryetari i republikanëve Mitch Mçonnell i dërgoi senatorët në shtëpi deri të enjten.
Ai deklaroi se do t’i thërrasë sërish nëse krijohen rrethanat e duhura për një marrëveshje, por shanset janë minimale pasi palët duken të palëvizshme nga qëndrimet e tyre. Financimi i një të katërtës të shërbimeve qeveritare përfshin departamentet e Sigurisë së Brendshme, Drejtësisë dhe Agrikulturës.
Aktualisht, zyrat federale janë mbyllur dhe mbi 400 mijë funksionarë të agjencive do të punojnë pa rrogë deri sa përplasja mes republikanëve dhe demokratëve të zgjidhet. Ndërkohë, 380 mijë të tjerë do të vendosen në gjendje asistence. Forcat e rendit, patrullat kufitare, posta dhe aeroportet do të vazhdojnë të jenë në punë.
Bllokada komplikon edhe më tej javën e tensionuar të presidentit Trump, pas dorëheqjes së sekretarit të Mbrojtjes, Jim Mattis për shkak të vendimit për të tërhequr trupat nga Siria, një vendim i kritikuar ashpër edhe nga figurat kyçe të republikanëve./abcnews.al