SHBA: Nuk do lejojmë që tregu të ‘mbytet’ nga produkte kineze me çmime nën kosto

schedule11:34 - 8 Prill, 2024

schedule 11:34 - 8 Prill, 2024

Uashingtoni nuk do të lejojë që tregu global të mbushet nga mallrat kineze me çmime të ulëta, siç ka ndodhur në të kaluarën, paralajmëroi Sekretarja e Thesarit amerikan, Janet Yellen, e cila ndodhet në një vizitë në Kinë.

Duke iu referuar shembullit të çelikut më shumë se një dekadë më parë, kur teprica kineze shkatërroi industritë në mbarë botën dhe në SHBA, Janet Yellen u tha gazetarëve: “Unë nuk do të lejoj që kjo të ndodhë më”.

“Unë e di se këto shqetësime serioze janë të përbashkëta nga aleatët dhe partnerët tanë, qofshin ata ekonomi të zhvilluara apo në zhvillim,” tha ajo.

Nga ana e saj, Shtetet e Bashkuara nuk do të marrin masa ekonomike “të papritura” për sigurinë kombëtare, siguroi Janet Yellen, e cila diskutoi këtë çështje me zyrtarët kinezë.

“Nëse Shtetet e Bashkuara duhet të vlerësojnë masat e sigurisë kombëtare, duke pasur parasysh shpejtësinë e zhvillimeve teknologjike, ne jemi të përkushtuar të mos marrim masa të papritura”, tha ajo, duke i bërë thirrje Kinës që të tregojë “transparencë” në këtë fushë.

“Mbikapaciteti” i Kinës ishte tema qendrore e vizitës së Janet Yellen.

SHBA është e shqetësuar se subvencionet masive të qeverisë kineze në teknologji, energji të gjelbër, automjete elektrike dhe bateri do të mbushin tregun botëror me produkte me kosto të ulët, duke rrezikuar konkurrentët e huaj në këta sektorë.

Janet Yellen u prit ditën e djeshme nga kryeministri kinez Li Qiang dhe të dy shprehën dëshirën e tyre për të forcuar dialogun, pavarësisht dallimeve që kanë dy ekonomitë kryesore të botës.

Deri më tani, Pekini ka hedhur poshtë shqetësimet për rritjen e mbështetjes shtetërore për industritë kineze.

“Akuzat për ‘kapacitetin e tepërt të prodhimit’ janë të pabaza,” tha Ministri kinez i Tregtisë Wang Wendao, duke siguruar se zhvillimi i shpejtë i automjeteve elektrike nga prodhuesit kinezë në veçanti është për shkak të inovacionit dhe zinxhirëve të furnizimit, jo subvencioneve të shteti kinez.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!