SHBA ndihmon FA me pajisje kundër zjarrit

schedule10:06 - 20 Qershor, 2019

schedule 10:06 - 20 Qershor, 2019

Komanda e Forcave të Armatosura të SHBA në Evropë, nëpërmjet Ambasadës në Tiranë, i dorëzoi Forcave tona të Armatosura pajisje kundër zjarreve me vlerë 361 mijë $.

Në ceremoninë e dorëzimit të pajisjeve të reja mori pjese edhe ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, e Ngarkuara me Punë e SHBA në vendin tonë Leyla Moses-Ones, zëvendësshefja e Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneral brigade Manushaqe Shehu, ushtarakë të lartë të FA si dhe efektivët që angazhohen në rastet e emergjencave civile dhe që do të përdorin mjetet e reja. Ministrja Xhaçka falënderoi SHBA për mbështetjen e pakursyer për vendin tonë, veçanërisht me ndihmën e vazhdueshme për të modernizuar dhe shtuar kapacitetet e FA.

“Për fat të keq, sidomos gjatë dekadave të fundit shteti shqiptar, qeveritë, politika, ka pasur një qasje që mund të përshkruhet saktë vetëm duke përdorur atë shprehjen ‘ku rrafsha mos u vrafsha.’ Sepse, ndërkohë që Shqipëria renditet si një nga 10 vendet me risk më të lartë ekonomik nga fatkeqësitë, por edhe me një shkallë të lartë risku për jetën e shëndetin e qytetarëve nga tërmetet, zjarret, përmbytjet, rrëshqitjet e tokës e ortekët, gatishmëria e strukturave dhe institucioneve gjatë pjesës dërrmuese të tranzicionit ka qenë shumë e dobët për shkak të rrëmujës, kompetencave të paqarta, neglizhencës, autoriteteve e pushteteve që përpiqeshin t’i kalonin përgjegjësinë njëri tjetrin. Nuk ka asnjë dyshim që sot, Mbrojtja Civile është më e përgatitur dhe më e aftë sesa ka qenë ndonjëherë në 3 dekadat e fundit për të mbrojtur vendin, komunitetet, qytetarët nga fatkeqësitë natyrore,” theksoi ministrja Xhaçka, e cila vlerësoi edhe ndihmën e fundit të SHBA për Forcat tona të Armatosura.

“Kjo mbështetje është kaq e çmuar dhe kaq e mirëpritur. Nga sot, Mbrojtja Civile, FA janë më të përgatitura për të përballuar të papriturat e tekat e motit duke mbrojtur jo vetëm jetët e qytetarëve, pronat e tyre, por edhe pasuritë natyrore të vendit.”

E Ngarkuara me Punë e SHBA në vendin tonë, Leyla Moses-Ones, e konsideroi Shqipërinë si një aleat të palëkundur të NATO-s dhe e konsideroi këtë paketë ndihme, si një shembull të bashkëpunimit mes dy vendeve.

“Ky dhurim simbolizon angazhimin tonë të vazhdueshëm të ndihmës humanitare për qeverinë e Shqipërisë. Ky dhurim së bashku me shumë projekte të tjera humanitare të ofruara nga ambasada Amerikane gjatë viteve është vetëm një shembull i bashkëpunimit të mrekullueshëm gjatë viteve, mes SHBA-ve dhe Shqipërisë. Shqipëria është një aleat dhe partner i pa lëkundur në NATO dhe ne jemi të vendosur të vazhdojmë partneritetin tonë.”

Paketa e ndihmës përmban dy kova me kapacitet 2500 litër secila që mund të përdoren si nga helikopterët “Cougar” ashtu edhe nga ata “Black Hawk”, të cilët pritet të futen së shpejti në përdorim nga Forca jonë Ajrore. Gjithashtu, pjesë e paketës janë kamera termike për evidentimin e vatrave të zjarrit në brendësi të ndërtesave si dhe veshje e pajisje mbrojtëse e rezistente ndaj zjarrit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!