SHBA – Meksikë, rinisin bisedimet për emigracionin

schedule23:15 - 6 Qershor, 2019

schedule 23:15 - 6 Qershor, 2019

Amerika dhe Meksika kanë rinisur bisedimet për emigracionin dhe tarifat e paralajmëruara nga Uashingtoni. Duke qenë se paraprakisht procesi ka qenë pozitiv, tarifat e paralajmëruara nga administrata amerikane janë shtyrë, por në rast dështimi ato do të hyjnë në fuqi ditën e hënë.

Zyrtarët amerikanë dhe ata meksikanë kanë rinisur të enjten bisedimet mbi tregtinë dhe emigracionin, me administratën Trump që po u reziston presioneve të ligjvënësve republikanë dhe bizneseve që të lehtësojnë planin për rritjen e tarifave me fqinjin jugor. Zëvendës presidenti Majk Pens, që udhëhoqi raundin fillestar të negociatave në Uashington ditën e mërkurë, deklaroi se bisedimet kishin qenë pozitive por nënvizoi se Shtëpia e Bardhë dëshiron që Meksika të angazhohet më seriozisht për të luftuar emigracionin ilegal. “Ne i mirëpresim përpjekjet e zyrtarëve meksikanë për të ofruar zgjidhje për krizën në kufirin tonë jugor, por ata duhet të bëjnë më shumë”, tha Pens. Ai u mëshoi fjalëve të presidentit Donald Trump, i cili ditë më parë tha se në raundin e parë të negociatave nuk ishte bërë sa duhet progres dhe paralajmëroi se tarifat e reja do të hyjnë në fuqi të hënën e ardhshme nëse vendi latin nuk avancon përpjekjet për të frenuar fluksin e emigrantëve që vijnë kryesisht nga vendet e Amerikës Qendrore. Ndërkohë, tregjet financiare në Shtetet e Bashkuara dhe Meksikë reaguan pozitivisht të enjten, pasi agjencia e lajmeve “Blumberg” njoftoi se Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë shtyrjen e vendosjes së tarifave, teksa bisedimet mes palëve vazhdojnë./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!