SHBA me Izraelin, BE me Palestinën

schedule16:15 - 22 Janar, 2018

schedule 16:15 - 22 Janar, 2018

Gjatë fjalimit në parlamentin izraelit, zëvendëspresidenti amerikan, Majk Penc, shprehu mbështetjen për qeverinë e kryeministrit Benjamin Netanjahu. Ndërsa theksoi se zhvendosja e ambasadës amerikane për në Jeruzalem do të bëhet brenda 2019-s. Ndërsa nga ana tjetër, Bashkimi Europian ka shprehur mbështetjen për shtetin e Palestinës.

Ambasada amerikane në Izrael do të zhvendoset në Jeruzalem në fund të 2019-s. Premtimi është bërë nga zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, Majk Pence, gjatë një fjalimi të mbajtur në parlamentin izraelit të hënën. Por me këtë vendim, ai ka shtuar dhe më shumë zemërimin e Palestinës dhe shqetësimin ndërkombëtar. Më herët, presidenti Donald Trump njohu Jeruzalemin si kryeqytet të Izralit dhe premtoi zhvendosjen e ambasadës.

“Në javët në vijim, administrata jonë do të avancojë me planin për të hapur Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Jeruzalem. Kjo ambasadë do të hapet përpara fundvitit të vitit të ardhshëm”, u shpreh Penc.

Ndërsa më tej në parlament përsëriti: “Jeruzalemi është kryeqyteti i Izraelit dhe si i tillë, presidenti Trump ka urdhëruar Departamentin e Shtetit që të fillojë përgatitjet për të zhvendosur ambsadën amerikane nga Tel Avivi në Jeruzalem”.

Ndërkohë, fjalimi i numrit dy të Shtëpisë së Bardhë u ndërpre shkurtimisht nga deputetët arabë të parlamentit të Izralit, të cilët protestuan duke kënduar në gjuhën arabe dhe angleze “Jeruzalemi është kryeqytet i Palestinës”.

Ndërsa në një anë, Izraeli ka mbështetjen e Uashingtonit, Palestina beson tek Brukseli. Bashkimi Europian siguroi presidentin Mahmud Abas për ambiciet e tij për Jeruzalemin Lindor, si kryeqytet të një shteti të Palestinës. Ky është një tjetër vendim i Unionit, që kundërshton qartë nismën e presidentit amerikan, Donald Trump. Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europian për politikën të jashtme, Federika Mogerini, nënvizoi se duhet të vazhdojë procesi i bisedimeve për paqe në Lindjen e Mesme. Gjithashtu theksoi se qëndrimi i BE-së mbështet një zgjidhje me dy shtete, që do kenë Jeruzalemin si kryeqytet të përbashkët./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!