Autoritetet amerikane mbyllën kufirin me Meksikën pasi disa emigrantë u përpoqën të hynin me forcë. Gjithashtu ata përdorën dhe gazin lotësjellës. Ndërkohë, qeveria e Meksikës thotë se do të dëbojë 500 emigrantët që tentuan të kalonin kufirin me SHBA-të.
Autoritetet amerikane mbyllën kufirin dhe lëshuan gaz lotësjellës në tokën meksikane për të sprapsur emigrantët nga Hondurasi, El Salvadori dhe Guatemala që afroheshin në kalimin kufitar. Kjo erdhi pas zotimit të presidentit Donald Trump se azilkërkuesit nuk do të hynin lehtë në vend. Trafiku në të dy drejtimet u pezullua për disa orë, thanë zyrtarët e SHBA-ve. Megjithatë, më vonë rifilloi kalimi i këmbësorëve si dhe ai i automjeteve.
Tensionet në kufirin jugor amerikan u rritën ditëve të fundit, pasi mijëra emigrantë u strehuan në një stadium sportiv në qytetin e Tijuanës. Të dielën, policia meksikane ndoqi të fundit në një seri protestash të përditshme, duke shtyrë emigrantët në një nxitim drejt kufirit të SHBA. Zyrtarët Amerikanë për Mbrojtjen e Doganave dhe Kufijve ndaluan emigrantët me një breshëri gazi lotësjellës, ndërsa nga lart vrojtoheshin nga helikopterë amerikanë dhe meksikanë. Pamjet filmike shfaqin shumë persona – përfshirë grad he fëmijë – që vrapojnë drejt murit që ndan dy vendet në afërsi të qytetit të Tijuanës.
Ndërkohë, qeveria meksikane tha se kishte rimarrë kontrollin e kalimit kufitar, pasi gati 500 emigrantë u përpoqën të kalonin kufirin me SHBA-të “në një mënyrë të dhunshme” dhe u zotuan të dëbojnë menjëherë emigrantët që u përpoqën të hynin ilegalisht në Shtetet e Bashkuara. Trump ka ngritur alarm për javë për karvanin e emigrantëve, i cili udhëtoi për më shumë se 4 mijë kilometra në këmbë dhe iu afrua tokës amerikane për të kërkuar azil. Shumica e tyre largohen nga Hondurasi, El Salvadori dhe Guatemala për shkak të varfërisë dhe dhunës./abcnews.al