Presidenti i SHBA-së, Joe Biden informoi të premten udhëheqësit e 6 vendeve të tjera më të industrializuara se Uashingtoni mbështet përpjekjen e përbashkët me aleatët për të trajnuar pilotët ukrainas për avionët luftarakë F-16.
Lajmi u konfirmua nga një zyrtar i lartë i administrates amerikane në kushte anonimiteti, shkruan VOA.
Miratimi nga ana e Shteteve të Bashkuara ka rëndësi kyçe, ndërsa Kievi përpiqet të rrisë fuqinë e tij ajrore kundër forcave të Rusisë.
Trajnimi për avionët e prodhuar në SHBA do të zhvillohet në Evropë dhe do të duhen muaj për t’u përfunduar, tha zyrtari.
Kohazgjatja për trajnimin dhe dorëzimin e avionëve F-16 është vlerësuar të jetë të paktën 18 muaj.
“Ndërsa trajnimi zhvillohet gjatë muajve të ardhshëm, koalicioni i vendeve që marrin pjesë në këtë përpjekje do të vendosë se kur do të sigurojë avionët, sa do t’i ofrojmë dhe kush do t’i sigurojë ato”, tha zyrtari.