SHBA/ Marrëveshja e pranimit të fajësisë së djalit të Joe Biden, rizgjon debatin mbi hetimet politike

schedule08:24 - 23 Qershor, 2023

schedule 08:24 - 23 Qershor, 2023

Djali i presidentit amerikan Joe Biden, Hunter Biden, pranoi fajësinë për dy akuza penale këtë javë. Ndërsa republikanët thanë se marrëveshja për pranimin e fajësisë nuk do të ndalonte hetimin e tyre ndaj presidentit dhe familjes së tij, demokratët thanë se këto shqetësime nuk krahasohen me akuzat me të cilat përballet ish-presidenti Donald Trump.

Presidenti amerikan shpreh mbështetje për djalin… ndërsa Hunter Biden arrin një marrëveshje me prokurorët federalë për të pranuar fajësinë në lidhje me evazionin fiskal dhe për një akuzë për mbajtjen e një arme.

Republikanët në Kongres, si kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, kritikuan vendimin e Departamentit të Drejtësisë për këtë marrëveshje.

“Nëse je kundërshtari kryesor politik i presidentit, Departamenti i Drejtësisë përpiqet të të fusë në burg. Nëse je djali i presidentit, merr një marrëveshje favorizuese”.

Demokratët, ndërkohë, thanë se ky ishte shembulli i funksionimit të duhur të sistemit të drejtësisë në Shtetet e Bashkuara.

“Këto gjëra janë serioze, por nuk kanë të bëjnë fare me korrupsionin presidencial”, tha ligjvënësi demokrat Jamie Raskin.

Një historian thotë se ky është një moment i paprecedentë në historinë presidenciale.

“Është pak e pazakontë të shohësh një Departament Drejtësie të një presidenti në detyrë, të akuzojë dhe të sigurojë një dënim për pranimin e fajësisë nga vetë djali i presidentit”, thotë Matt Dallek në Universitetin ‘George Washington’.

Por republikanët thanë se marrëveshja nuk ndryshon hetimin e tyre më të gjerë mbi marrëdhëniet financiare të familjes Biden.

“Po vazhdojmë një hetim ndaj Joe Bidenit. Djali i presidentit është padyshim një person me interes në hetim. Ne besojmë se kemi nxjerrë tashmë prova dërrmuese që sugjerojnë pastrim parash, mashtrim, shantazh, dhe punën si një agjent i huaj i paregjistruar”, tha ligjvënësi republikan James Comer.

Shqetësimet për standardet e dyfishta në sistemin e drejtësisë amerikane janë tashmë një temë në fushatën presidenciale të vitit 2024.

“Duhet të ketë një standard drejtësie në këtë vend. Le ta zbatojmë atë për të gjithë dhe të sigurohemi që të gjithë i dimë rregullat. Nuk mund të kesh një grup të shoqërisë të armatosur me fuqinë e shtetit kundër grupeve të tjera që nuk ju pëlqejnë”, tha kandidati presidencial republikan Ron DeSantis.

Ligjvënësit republikanë argumentuan të mërkurën se hetimet e Departamentit të Drejtësisë ndaj Trumpit ishin të motivuara politikisht.

Ndoshta në vend të sulmeve të pafundme ndaj Presidentit Trump, mbase do të ishte më mirë të dinim se si filloi i gjithë hetimi i pabazë për bashkëpunimin me Rusisë”, tha ligjvënësi republikan Jim Jordan.

Demokratët thonë se akuzat se Departamenti i Drejtësisë po përdoret kundër Trumpit është një taktikë për të larguar vëmendjen nga akuzat e rënda për spiunazh dhe korrupsion me të cilat përballet ish-presidenti.

“Ata duken të paaftë për të ngarkuar me ndonjë përgjegjësi Donald Trumpin për problemet që janë vetëm e vetëm të Trumpit”, tha ligjvënësi demokrat Jerry Nadler.

Historiani Matt Dallek i tha Zërit të Amerikës se akuzat kanë për qëllim të motivojnë mbështetësit e Trumpit.

“Trumpi ka qenë shumë i efektshëm në përdorimin e armiqve të tij, të kritikëve të tij, apo edhe të sistemit ligjor për të krijuar një lloj mendësie ‘ne kundër tyre’. Dhe republikanët e përforcojnë këtë ide”.

Ligjvënëset republikane Majorie Taylor Greene dhe Lauren Boebert pritet të paraqesin rezoluta për shkarkimin e presidentit Biden këtë javë – por nuk pritet të sigurojnë votat e mjaftueshme për ta çuar procesin përpara./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!