Senatorët amerikanë kanë kërkuar hetimin e të zgjedhurit të Trump për drejtimin e Gjykatës Supreme, pas akuzave për agresion seksual. Hetimi mund të shtyjë emërimin e Bret Kavanah në krye të instancës më të lartë gjyqësore, në një kohë kur ai shihet si shpëtimtari i presidentit Trump nga hetimi i “RASHAGEJT”.
I emëruari i presidentit Donald Trump për drejtimin e Gjykatës Supreme të Shteteve të Bashkuara është kthyer në qendër të vëmendjes dhe debateve politike në Uashington. Bret Kavanah është akuzuar nga një grua për një agresion seksual të ndodhur në vitin 1982, situatë kjo që ka detyruar senatorët demokratë por edhe republikanë të kërkojnë shtyrjen e seancës dëgjimore për emerimin e tij. Senatorët kanë deklaruar se profesorja e Universitetit të Kalifornisë Kristin Blejsi Ford, e cila ka ngritur akuzën ndaj të emëruarit, duhet të dëgjohet në një seancë të posaçme, që rrjedhimisht shtyn atë të planifikuar për Kavanah ditën e enjte. Ford e akuzon Kavanah se, në vitin 1982, në gjendje të dehur është përpjekur ta dhunojë duke i hequr rrobat kur ndodheshin në një zonë periferike të Uashingtonit. Ditën e hënë, të dyja palët kanë shprehur gatishmërinë që të paraqiten përpara një paneli të Senatit për t’u dëgjuar. Dhe në një lëvizje të papritur, 10 anëtarët demokratë të Komisionit gjyqësor të Senatit hartuan një kërkesë për të shtyrë votimin e Kavanah, në mënyrë që FBI të hetojë akuzën e ngritur ndaj tij. Republikanët e Trump kontrollojnë Senatin me një diferencë të ngushtë, që do të thotë se çdo bojkot mund të fundosë emërimin, duke i shkaktuar kështu një dëm të madh presidentit, që e sheh Kavanah si një komardare që mund ta shpëtojë nga hetimet mbi ndërhyrjen ruse. Duke reaguar, Trump ka deklaruar se tërheqja e emërimit për shkak të një akuze që daton në kohën kur ai ka qenë në shkollë të mesme do të ishte qesharake. Ai ka theksuar se, nuk ka ndërmend ta anulojë kandidaturën, duke e cilësuar të zgjedhurin e tij një person dhe një intelektual të jashtëzakonshëm. /abcnews.al