Dhoma e përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara ka kërkuar dëshminë e fëmijëve të presidentit Donald Trump në lidhje me aferën me rusët. Emrat e Ivanka dhe Donald Junior u futën në valle nga ish-avokati personal i Trump, Majkëll Kohen, që pak ditë më parë dëshmoi në Kongres.
Një komision i Kongresit amerikan ka kërkuar të dëgjojë si dëshmitarë fëmijët e presidentit Donald Trump, Ivanka dhe Donald Junior, si dhe drejtorin e financave të Organizatës Trump, Allen Vajselberg. Vendimi është marrë pas dëshmisë së ish-avokatit të presidentit Majkëll Kohen, i cili futi në lojë këta persona në lidhje me negociatat me rusët për projektin e një kulle Trump në Moskë. Ndërkohë, kryetari i komisionit për shërbimet e inteligjencës ka njoftuar se ka thirrur për të dëshmuar më 14 mars ish-ortakun e Trump, Feliks Zejtër, edhe ai i përfshirë në negociatat për ndërtimin e grataçelës në kryeqytetin rus. Vetë presidenti amerikan e ka komentuar kërkesën e komisionit përmes një komenti në rrjetin social Tëitter. “Është koha t’i japim fund kësaj gjuetie të korruptuar dhe ilegale shtrigash dhe të shohim nga ana tjetër, ku janë kryer krime serioze”, ka deklaruar Trump duke iu referuar demokratëve. Shefi i Shtëpisë së Bardhë ka akuzuar demokratët se kanë përdorur dëshminë e ish-avokatit të tij pasi hetimi mbi ndërhyrjen ruse, sipas tij, nuk solli asnjë rezultat. Trump ka shtuar se, abuzimi që po bëhet në dëm të republikanëve duhet të marrë fund sa më shpejt./abcnews.al