SHBA-të planifikojnë të ndalojnë së komentuari mbi drejtësinë, integritetin dhe legjitimitetin e zgjedhjeve të huaja, një ndryshim i madh nga një praktikë prej dekadash e promovimit të zgjedhjeve demokratike jashtë vendit.
Një udhëzim i ri, i dhënë në një memorandum të enjten të nënshkruar nga Sekretari i Shtetit Marco Rubio, urdhëron që deklaratat mbi zgjedhjet e huaja të përqendrohen në përgëzimin e kandidatit fitues dhe “të shmangin dhënien e mendimeve mbi drejtësinë ose integritetin e një procesi zgjedhor, legjitimitetin e tij ose vlerat demokratike të vendit në fjalë”.
Departamenti i Shtetit duhet të bëjë deklarata publike në lidhje me zgjedhjet e huaja vetëm nëse “ekziston një interes i qartë dhe bindës i politikës së jashtme të SHBA-së për ta bërë këtë”, citohet nw memorandum, i cili ndër të tjera përmend “theksimin e administratës mbi sovranitetin kombëtar”. Një kopje e urdhrit u shqyrtua nga The Wall Street Journal.
Ky veprim pason një riorganizim të politikës së jashtme me Presidentin Trump, që ka përfshirë çmontimin e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar dhe agjencisë mëmë të Zërit të Amerikës, si dhe shkurtime të thella të personelit në Departamentin e Shtetit.
Qëllimi, të paktën pjesërisht, është të sinjalizojë se SHBA-të janë më pak të interesuara të bëjnë presion mbi qeveritë e huaja për të bërë reforma të brendshme, të tilla si lejimi i zgjedhjeve konkurruese, gjë që ka qenë një shenjë dalluese e politikës së jashtme të SHBA-së nën të dyja partitë që nga Lufta e Ftohtë. Trump ka kritikuar ndërhyrjen e SHBA-së jashtë vendit, duke argumentuar për një qasje më pragmatike që minimizon atë që ai e përshkruan si përpjekje të dështuara për të përhapur vlerat e SHBA-së në vendet e tjera.
Në një deklaratë në lidhje me urdhrin e Rubios, Departamenti i Shtetit tha: “Shtetet e Bashkuara do t’i përmbahen fort vlerave të tyre demokratike dhe do t’i festojnë ato vlera kur vendet e tjera të zgjedhin një rrugë të ngjashme.” Departamenti shtoi se “Presidenti e bëri të qartë se Shtetet e Bashkuara do të ndjekin partneritete me vendet ku përputhen interesat tona strategjike.”