SHBA, jepet pretenca për Martin Shkrelin

schedule22:51 - 6 Mars, 2018

schedule 22:51 - 6 Mars, 2018

Martin Shkreli, amerikani me origjinë shqiptare, që rriti në stratosferë çmimin e ilaçit kundër infeksioneve, rrezikon të përballet me të paktën 15 vjet burg. Në dhënien e pretencës, prokurorët e cilësuan atë një njeri arrogant që nuk shfaq asnjë shenjë pendese.

Situata për ish-sipërmarrësin shqiptar në Amerikë, Martin Shkreli, sa vjen e rëndohet në një kohë, kur shpallja e dënimit ndaj tij po afron. Prokurorët amerikanë i kërkuan këtë të martë një gjykatësi federal dënimin e tij me të paktën 15 vjet burg për cënim të standardeve të sigurisë.

Prokurorët thanë se mungesa e pendesës në qëndrimin e tij dhe ajo e respektit për ligjin justifikojnë kohën që ai duhet të kalojë prapa hekurave. Akuza e cilësoi Shkrelin një njeri që vazhdimisht ka zgjedhur të vendosë përfitimin dhe kultivimin e imazhit publik përpara gjithçkaje dhe një njeri që beson se qëllimi gjithmonë justifikon mjetin.

Dënimi ndaj 34-vjeçarit pritet të jepet ditën e premte për akuzat e mashtrimit të investitorëve dhe manipulim të vlerës së aksioneve të kompanisë së tij farmaceutike. Benjamin Brafman, avokat i Shkrelit, nuk iu përgjigj kërkesës së mediave për një koment, por më herët ai kishte kërkuar një dënim nga 12 deri në 18 muaj burg për klientin e tij.

34-vjeçari ndodhet në burg që prej shtatorit të kaluar, kur gjyqtari i mohoi lirinë pasi kishte ofruar 5 mijë dollarë shpërblim për këdo që i shkulte një fije floku ish-kandidates për presidente Hillary Clinton. Sidoqoftë, më i njohur ai u bë kur rriti çmimin e ilaçit anti-infeksion Daraprim me mbi 5 mijë për qind në vitin 2015, kur ishte drejtor ekzekutiv i kompanisë “Turing Pharmaceuticals”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!