SHBA-ja i kërkon Maqedonisë së Veriut proces transparent për ligjin e amnistisë

schedule17:41 - 4 Tetor, 2023

schedule 17:41 - 4 Tetor, 2023

Ambasadorja amerikane në Shkup, Angela Ageler, i bëri thirrje të mërkurën Maqedonisë së Veriut për një proces transparent dhe të ligjshëm në miratimin e ligjit për amnistinë, duke thënë se qytetarët duhet ta kuptojnë se çfarë po ndodh dhe se cila është nevoja për një ligj të tillë.

Qeveria maqedonase e dërgoi të martën në Parlament projektligjin për amnistinë, i cili ka nxitur polemika të shumta edhe mes vetë koalicionit qeveritar,  shkruan REL.

“Më e rëndësishmja për SHBA-në dhe ambasadën është që procesi të jetë transparent, ligjor dhe qytetarët të dinë se pse po miratohet një ligj i tillë”, tha Ageler të mërkurën.

Ajo tha se Shtetet e Bashkuara do ta ndjekin nga afër procesin, duke shtuar se ai duhet të jetë “i qartë dhe i kuptueshëm”.

“Ky nuk është ligji i parë i amnistisë dhe sigurisht nuk do të jetë as i fundit”, tha ajo.

Legjislacioni parasheh lirimin nga burgu të personave të dënuar me deri gjashtë muaj burgim, ndërsa të dënuarit me mbi gjashtë muaj burgim, do të përfitojnë ulje të dënimit prej 30 për qind.