SHBA, izolim për talebanët nëse pushteti merret me dhunë

schedule19:22 - 10 Gusht, 2021

schedule 19:22 - 10 Gusht, 2021

I dërguari amerikan paralajmëroi talebanët të martën se çdo qeveri që vjen në pushtet me forcë në Afganistan nuk do të njihet ndërkombëtarisht, pasi një numër qytetesh shumë shpejtë ranë në duart e grupit kryengritës.

Diplomati amerikan Zalmay Khalilzad udhëtoi drejt qytetit të Dohas në Katar, ku talibanët kanë një zyrë politike, për t’i thënë grupit se nuk ka asnjë arsye për të ndjekur fitoret në fushën e betejës sepse një pushtim ushtarak i Kabulit do të garantonte shndërrimin e tyre në një objekt kritikash në nivel global. Ai dhe të tjerët shpresojnë të bindin udhëheqësit talebanë, që të kthehen në bisedimet e paqes me qeverinë afgane, ndërsa forcat amerikane dhe ato të NATO-s po përfundojnë tërheqjen e tyre nga vendi.

Kryengritësit kanë kapur pesë nga 34 kryeqytetet provinciale, në më pak se një javë. Ata tani po luftojnë me qeverinë e mbështetur nga Perëndimi për kontrollin e disa qyteteve të tjera, përfshirë Lashkar Gah-un në Helmand, Kandaharin dhe Farahin në provincat me të njëjtët emra.

Pas një misioni ushtarak perëndimor 20-vjeçar dhe miliarda dollarë të shpenzuar për trajnimin dhe forcimin e forcave afgane, shumë ekspertë dhe diplomatë e kanë të vështirë të shpjegojnë humbjet e ushtrisë afgane, në disa raste ikjen e qindrave ushtarëve nga betejat e luftës. Barra e luftimeve ka rënë kryesisht mbi grupet e vogla të forcave elite dhe forcave ajrore afgane.

Suksesi i sulmeve talibane ka nxitur nevojën urgjente për rifillimin e bisedimeve të stërzgjatura, që mund t’i japin fund luftimeve dhe ta çojnë Afganistanin drejt një administrate të përkohshme gjithëpërfshirëse.

Presioni i ri nga i dërguari amerikan Khalilzad vjen pas dënimit të veprimeve të talibanëve nga bashkësia ndërkombëtare dhe një paralajmërimi të ngjashëm nga Kombet e Bashkuara se një qeveri talebane që merr pushtetin me forcë nuk do të njihej. Kryengritësit deri më tani nuk kanë pranuar të kthehen në tryezën e bisedimeve.

Misioni i zotit Khalilzad në Katar është të “ndihmojë në formulimin e një përgjigjeje të përbashkët ndërkombëtare ndaj situatës së përkeqësuar me shpejtësi në Afganistan”, thuhet në një njoftim të Departamentit të Shtetit.

Ai planifikon të “ushtrojë trysni mbi talebanët që të ndalojnë ofensivën e tyre ushtarake dhe të negociojnë një zgjidhje politike, e cila është rruga e vetme drejt stabilitetit dhe zhvillimit në Afganistan”, tha Departamenti i Shtetit.

Ndërkohë, shefi ushtarak i talebanëve publikoi një audio-regjistrim për luftëtarët e tij të martën, duke i urdhëruar ata të mos dëmtojnë forcat afgane dhe zyrtarët qeveritarë në territoret që ata po pushtojnë. Audio-regjistrimi u publikua në Twitter nga zëdhënësi i talebanëve në Doha, Mohammad Naim.

Në audio-regjistrimin gati pesë minutësh, Mohammad Yaqoob, djali i udhëheqësit të ndjerë talebanë Mullah Mohammad Omar, gjithashtu u tha kryengritësve të mos prekin shtëpitë e braktisura të zyrtarëve të qeverisë dhe të sigurisë, tregjet e hapura dhe të mbrojnë bizneset, përfshirë bankat.

Nuk është ende e qartë nëse luftëtarët talebanë në terren do t’i respektojnë udhëzimet e zotit Yaqoob. Disa civilë që kanë ikur nga zonat e pushtuara nga talebanët kanë thënë se kryengritësit vendosën masa kufizuese shtypëse ndaj grave dhe dogjën shkollat. Zyra e shefit të të OKB -së për të drejtat e njeriut tha se ka marrë raporte për ekzekutime dhe shkatërrim të shtëpive, shkollave dhe klinikave në zonat e pushtuara.

Ka patur gjithashtu njoftime për vrasje hakmarrëse. Kryengritësit kanë marrë përgjegjësinë për vrasjen e një komediani në jug të Kandaharit, vrasjen e shefit të mediave të qeverisë në Kabul dhe një sulm me bombë që kishte në shënjestër Ministrin e Mbrojtjes, Bismillah Khan Mohammadin, gjatë të cilit u vranë tetë persona dhe u plagosën shumë të tjerë. Ministri nuk u dëmtua në këtë sulm.

Intensifikimi i luftimeve ka shkaktur zhvendosjen e mijëra njerëzve në Kabul, ku shumë prej tyre jetojnë në parqe pa qasje adekuate në ujë dhe ushqim. Luftimet gjithashtu kanë rritur numrin e viktimave civile.

Shefja e OKB -së për të drejtat e njeriut, Michelle Bachelet, tha të martën se zyra e saj kishte marrë njoftime për të paktën 183 të vdekur dhe qindra të plagosur në mesin e civilëve në disa qytete në javët e fundit, por paralajmëroi se “shifrat reale do të jenë shumë më të larta”.

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq tha se personeli i tij ka trajtuar më shumë se 4,000 afganë këtë muaj në 15 objektet e tyre në të gjithë vendin, përfshirë në Helmand dhe Kandahar, ku fushatat ajrore afgane dhe amerikane po përpiqen të frenojnë sulmin e talebanëve.

“Ne po shohim shtëpi të shkatërruara, rrezik të madh për personelin mjekësor, pacientët, spitalet, si dhe dëme në infrastrukturën e energjisë elektrike dhe atë të ujit”, tha Eloi Fillion, kreu i delegacionit të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar në Afganistan.

“Përdorimi i armëve shpërthyese në qytete ka një ndikim pa dallim mbi popullatën”, shtoi zoti Fillion. “Shumë familje nuk kanë zgjidhje tjetër përveçse të ikin në kërkim të një vendi më të sigurt. Kjo duhet të ndalet.”

Intensifikimi i sulmeve të talebanëve filloi në prill, kur Shtetet e Bashkuara dhe NATO njoftuan se do t’i jepnin fund pranisë së tyre ushtarake dhe do të tërhiqnin trupat e tyre nga Afganistani. Data e fundit e tërheqjes është 31 gushti, por Komanda Qendrore e ushtrisë së Shteteve të Bashkuara ka thënë se tërheqja tashmë ka arritur në nivelin 95%./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!