Negociatat midis Koresë së Veriut dhe Rusisë për dërgesat e ardhshme të armëve po “përparojnë në mënyrë aktive”, ka pohuar një këshilltar i Shtëpisë së Bardhë, duke i bërë thirrje regjimit të Phenianit që t’i “ndalojë” këto bisedime.
Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby kujtoi se ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu udhëtoi së fundmi në Korenë e Veriut për të bindur Phenianin që t’i shesë municion Rusisë. Ai tha gjithashtu se presidenti rus Vladimir Putin dhe udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un shkëmbyen letra duke u zotuar të forcojnë bashkëpunimin e tyre dypalësh. Sipas Kirby, SHBA ka informacione që tregojnë se një grup tjetër zyrtarësh rusë udhëtoi për në Phenian pas vizitës së ministrit të mbrojtjes.
Sipas marrëveshjeve të saj me Korenë e Veriut, Rusia do të marrë sisteme armësh që ushtria e saj planifikon t’i përdorë në luftën në Ukrainë, tha Kirby. Marrëveshjet mund të përfshijnë gjithashtu dërgimin e lëndëve të para që do të ndihmonin industrinë ruse të mbrojtjes.
Kirby theksoi se marrëveshje të tilla armësh do të shkelnin rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
“Ne i bëjmë thirrje Koresë së Veriut të ndalojë negociatat e armëve me Rusinë dhe të respektojë angazhimet e Phenianit për të mos ofruar apo shitur armë Rusisë”, u tha Kirby gazetarëve në Uashington.