SHBA, homazhe në nder të senatorit McCain

schedule22:40 - 29 Gusht, 2018

schedule 22:40 - 29 Gusht, 2018

Rradhë të gjata njerëzish janë krijuar përpara selisë së qeverisë vendore në Feniks të Shteteve të Bashkuara, për të bërë homazhe në nder të senatorit të Arizonës, Xhohn MekKein. Arkivoli me trupin e MekKein mbërriti i shoqëruar nga patrulla policie, ndërsa një njësi e Gardës së Nderit e transportoi atë mbi shpatulla në hollin e godinës qeveritare.

I pranishëm në ceremoni, guvernatori i Arizonës vlerësoi maksimalisht figurën e senatorit të ndjerë. “Si shtet kemi privilegjin ta quajmë atë një qytetar arizonas”, u shpreh Dag Djusi. MekKein, që këtë 29 gusht do të mbushte 82 vjeç, ndërroi jetë të shtunën e kaluar pas një beteje të gjatë me kancerin. Ish-pilot i marinës amerikane, ai mori pjesë në luftën e Vietnamit, ku dhe qëndroi i burgosur për 5 vjet e gjysmë pasi avioni i tij u qëllua teksa fluturonte mbi Hanoi.

Në përfundim të luftës ai iu përkushtua politikës për disa dekada me radhë. Në dy vitet e fundit u kthye në rivalin dhe kritikun kryesor të presidentit Donald Trump dhe vetëm pak kohë përpara vdekjes kërkoi që ai të mos lejohej në ceremoninë mortore./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!